Një koincidencë vërtet e bukur. Përvjetorin e 27-të të lindjes, të gjendesh duke sfiduar Valencia në 1/8 finale të Champions-it, është privilegj, krenari dhe përgjegjësi njëherësh. Të tria këto peshojnë mbi supet e Berat Djimsiti, mbrojtësit tonë të kombëtares. Ditëlindja e 27-të e gjen atë në momentin më të mirë të karrierës, pjesë e Atalantës, “hirushes” së Serie A dhe Ligës së Kampionëve. Shifrat referuese janë vërtet mbresëlënëse për shqiptarin: 60 ndeshje në fushën e blertë për Atalanta, 27 vite jetë në regjistrin e gjendjes civile. Nëse shifra e parë varet nga këmbët e tij, e dyta është e pashmangshme.
Berat Djimsiti ka një dëshirë të çmendur, për ta festuar ditëlindjen me fitore në fushë, si një titullar fiks për të dytin vit radhazi. Një nga më të aktivizuarit prej trajnerit Gian Piero Gasperini, i cili i dha besim në verën e vitit 2018 dhe e shndërroi atë në një “kolonë vetëlëvizëse”. Shqiptari nuk luan më vetëm qendërmbrojtës, si në fillim, por dhe majtas, në prapavijë, me “licencë” për të dalë përpara dhe goditur me kokë. Së këndejmi ka shënuar edhe gola të rëndësishëm, si ai ndaj Interit, në fitoren e bujshme 4-1.
Kur mbërriti në Bergamo, praktikisht së bashku me Remo Freuler, zvicerani tjetër i merkatos dimërore të vitit 2016, në kohën e trajnerit Edy Reja, lojtari i kombëtares shqiptare dukej “dhurata” e dobët në paketë, si pjesë e marrëveshjes me Cyrih. Ky ishte ekipi i qytetit të lindjes, me të cilin kishte luajtur 135 ndeshje dhe shënuar 6 gola. Nga ai 4 janar i katër viteve më parë, pra, Djimsiti ka bërë hapa gjigantë përpara.
Gjithashtu, falë përvojës trajnuese 2-vjeçare tek Avellino, ku u huazua, dhe Benevento, mbrojtësi u rrit shumë. Dhe tani synon kualifikimin në çerekfinalen e Ligës së Kampionëve, kundër Valencia. “Telesport” i uron ditëlindjen dhe daltë faqebardhë sonte në mbrëmje, në sfidën kundër spanjollëve. 27-vjetor dhe aromë Champions-i, janë vërtet dy gëzime të mëdha në një ditë. Gëzuar dhe suksese, Berat!