Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara, tashmë do të marrë në ngarkim edhe provat materiale, përveç pasurive të sekuestruara e të konfiskuara nga organet e drejtësisë apo me urdhra administrativë. Ky është synimi i projektligjit të ri “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 34/2019 “për administrimin e pasurive të sekuestruara e të konfiskuara”, të depozituar në Kuvend nga qeveria më datë 6 shkurt dhe vjen edhe në kuadër të paketës kundër krimit dhe terrorizmit. Projektligji duhet t’i nënshtrohet punës në komisionet Parlamentare, konkretisht në Komisionin e Ekonomisë, të Ligjeve dhe të Sigurisë Kombëtare. Por, ky ligj për mënyrën e menaxhimit të pasurive të konfiskuara do të shqyrtohet në mënyrë të përshpejtuar dhe pritet të miratohet javën e ardhshme në Parlament.
Në këtë kuadër, Komisioni për ekonominë dhe financat ka diskutuar sot projektligjin dhe në mbledhje parashtrimin e ligjit e bëri zv.ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari. Në fjalën e tij, Lamallari tha se ky projektligj synon trajtimin dhe administrimin e atyre pasurive të sekuestruara nga organet administrative. Ai tha se do të ngarkohet agjencia për administrimin e pasurive të sekuestruara e cila tashmë do kaloj në varësi të ministrisë së Brendshme dhe do ketë në ngarkim dhe administrimin e provave, jo vetëm pasurive të sekuestruar.
“Ky projektligj është pjesë e paketës kundër krimit dhe terrorizmit. Roli i agjencisë është i rëndësishëm, dhe projektligji që po diskutojmë sot, synon fuqizimin e kompetencave të kësaj agjencie si dhe i jep të drejtë vendimmarrëse”,- tha Lamallari. “Përsa i takon kompetencave të agjencisë, parashikohet një rol i shtuar duke e bërë atë më aktive në këtë proces. Së pari agjencia ka të drejtë t’i drejtohet me kërkesë prokurorit për të urdhëruar përdorimin, tjetërsimin ose asgjësimin e provave materiale. Po ashtu agjencia paraqet paraqet kërkesë pranë prokurorit ose gjykatës për tjetërsimin ose asgjësimin e provave materiale sipas përcaktimit të nenit 215 të procedurës penale”,- theksoi Lamallari.
“Agjencia që më parë ishte në varësinë e Ministrisë së Financave dhe me këtë projekt ligj kalon në përgjegjësi të Ministrisë së Brendshme.’’-, shtoi zv/Ministri i Brendshëm. “Një pikë tjetër është ngarkimi i agjencisë për administrimin e pasurive të cilave u është vendosur masa e sekuestros ose e konfiskimit sipas aktit normativ nr.1, datë 31.01.2020 (Anti-KÇK) për masat parandaluese në kuadër të forcimi të luftës ndaj terrorizmit, krimeve të rënda dhe konsolidimit të rendit dhe sigurisë publike.’’-, tha Lamallari gjatë fjalës së tij.