Mbi 23 mijë seanca radioterapie falas në vit për pacientët me sëmundje tumorale janë kryer në spitalin onkologjik në Tiranë. Kryeministri Edi Rama soli në vëmendje sot në Ditën Ndërkombëtare kundër Tumoreve investimin e bërë në spitalin e Onkologjisë të 2 akseleratorëve ultra modernë. “Vetëm kush ka qenë aty e di mirë ç’domethënë spital dhe aparaturë e duhur. Dikur në onkologjik përdorej aparatura e vjetër e kobaltit (që edhe kur punonte, më shumë dëmtonte pjesët e shëndosha të trupit sesa trajtonte pacientin)”, – thekson Rama.

Kreu i qeverisë shprehet se “sot 2 akseleratorët linearë ultra modernë janë në funksion të plotë. Tani kryhen mbi 23 mijë seanca radioterapie falas në vit për pacientët me kancer, e njëjtë si bota e zhvilluar”. Me instalimin e akseleratorit të dytë është arritur reduktimi i radhës së pritjes, nga 10 javë në dy deri në tri javë, që është mesatarisht koha për pacientët që duhet të kryejnë radioterapinë sipas protokollit. Tashmë në këtë njësi trajtohen rreth 100 pacientë në ditë, duke e dyfishuar numrin e pacientëve që kanë mundësi të trajtohen me terapi bashkëkohore.