Dështimi i shitjeve të pasurive kriminale të sekuestruara ka detyruar Ministrinë e Brendshme të ndryshojë strategji për administrimin e tyre. 10 vite nga ligji Antimafia asnjë prej pasurive të konfiskuara nuk është blerë në ankand. Për këtë arsye Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj shprehet se për sa përket këtyre aseteve do të vihen në shërbime publike, si shkolla, Qendra Shëndetësore apo Komisariat policie.

“Destinacioni i tyre do të jetë interesi publik. Agjencia përkatëse e administrimit të aseteve e cila parashikohet të kalojë te Ministria e Brendshme do të ketë detyrë që të administrojë në funksion publik si shkolla, qendra shëndetësore, komisariate policie”, deklaroi ministri.

Drejtori i Agjencisë së Administrimit të Aseteve të Sekuestruara, Artur Kala deklaroi gjatë ditës së sotme se në 10 vite nga ligji antimafia, asnjë pronë e krimit nuk është shitur në ankand. Sipas tij në një dekadë rezulton që të gjitha ankandet kanë dështuar.