-Shefja e Shërbimit Infektiv në QSUT, Najada Çomo është shprehur sot e Shqipëria i ka marrë masat sipas standardeve të OBSH-së për koronavirusin që kur ky virus shpërtheu në Kinë. Në një intervistë televizive, Çomo tha se, “që në momentin që shpërtheu në Kinë u morën masat e para. Pra ardhja në Itali ka sjellë rritje të masave të cilat janë marrë sipas standardeve edhe sipas OBSH-së”. E pyetur se, çfarë masash janë marrë në total meqenëse është Italia e prekur, Çomo tha se, “është një ekip i madh që merret. Në vendin fqinjë janë bërë izolime përkatëse. Kemi kaluar në plan masash më të reja. Nëse nuk ke lëvizur jashtë Shqipërie nuk është e mundur të jesh infektuar. Për personat që vijnë nga Italia ka masa të shtuara”.

E pyetur se çfarë vlere kanë masat sepse një njeri mund ta ketë marrë virusin dhe i shfaq shenjat pas 14 ditësh Çomo tha se, “duhet marrë një informacion i detajuar. Nuk është vetëm aeroporti dhe këtu masat mbarojnë, është emergjenca e Tiranës, shërbimi infektiv të përgatitur për këtë situatë. E pyetur nëse njerëzit që vijnë nga zonat e infektuara do duhet të hyjnë në karantinë, Çomo tha se, “jo, ka një problem që të gjithë këta udhëtarë pa pasur një shenjë nuk mund ta fusësh në karantinë. Izolimi i personit që është kthyer, do të thotë, jo izolim total, por shmangie të kontakteve. Nuk mund të mbyllësh mijëra njerëz, nuk mund të rrijë i mbyllur nëse nuk ka pasur kontakte me persona të prekur”.

Ajo tha se “në mbledhjen e Task Forcës janë bërë të gjitha skenaret, pra me mijëra, apo me qindra të prekur dhe në gjykimin tim dhe të kolegëve të mi mijëra është një shifër jo reale. Po i largohemi në mënyrë graduale sezonit të gripit stinor dhe duke ardhur stina e nxehtë do të vijë zbutja edhe e koronavirusit”. E pyetur mbi kapacitetet që ka në shërbimin infektiv në rast të shpërthimit të një epidemie të koronavirusit, Çomo theksoi se, “ka një plan a që nëse shtrohet një pacient 2, 3, 4 ,5 me koronavirus. Atëherë ndodh një bllokimi i spitalit, pacientet e tjerë shkojnë në shërbime të tjera. Spostohen shërbime të tjera nga ndërtesa e shërbimit dhe natyrisht nëse do të kemi shumë raste me koronavirus i gjithë shërbimi infektiv kalon vetëm në shërbim të këtyre pacientëve”.

E pyetur sesa shtretër ka në dispozicion dhe a ka respiratorë nëse shpërthen epidemi, Çomo theksoi se, “nga 100% persona që sëmuren me koronavirus 98% shërohen. 2% e tyre kalojnë në pjesën e futjes në aparaturë. Jo të gjithë personat do t’i nënshtrohen respiratorit. Sepse gjithë problemi që diskutohet është a ka Shqipëria respirator nëse personat kanë pamjaftueshmëri të aparatit mushkëror. Kjo është një nga simptomat. Ne kemi kapacitet për një grup të caktuar personash. Shqipëria është një vend që i ka kapacitetet për të mbuluar këtë grup popullate që do i duhet, nëse do i duhet për t’u futur në respiracion të drejtuar”. E pyetur për dhomat në dispozicion, Çomo tha se, “dhomat janë të pajisura me të gjitha mjetet, janë bokse, kanë oksigjen, tualet brenda. Ka personel që shërben dhe nëse ne do të kemi një epidemi masive, atëherë sikurse përmenda do të ketë spital ose spitale që do të jenë në dispozicion të këtyre personave”.

Çomo theksoi se shenjat klinike që ka një person me koronavirus janë të ngjashme me virozat e stinës. “Futja në karantinë në gjuhën mjekësore ka një kriter, nuk mund të futet një person që nuk është i dyshuar. Njerëzit duhet të tregohen të kujdesshëm. Tashmë i kanë marrë informacionet. Shenjat klinike që ka një person me koronavirus janë të ngjashme me gripin. E pyetur për përdorimin e maskave Çomo u shpreh se, “çështja është që maskat duhen përdorur me kriter. Të ruajnë kushtet e higjienës. Këto ditë në shkolla është bërë një edukim shumë i mirë i fëmijëve”, tha më tej shefja e shërbimit infektiv në QSUT.E pyetur sesa analiza janë bërë deri më tani Çomo tha se, “testimi që bëhet sot është për popullatën që ka  shqetësime. Ne insistojmë te historia e Kinës. Janë testuar 8 persona dhe nuk kanë rezultuar me koronavirus. Personi qëndron i izoluar dhe më pas merret tamponi për përgjigje. Personi qëndron në kushte izolimi spitalor dhe pret deri sa përgjigja të dalë”.