Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla kërkoi sot që drejtësia e re të hetojë plotësisht dosjen korruptive “Kompleksi Partizani”, prej ditës së parë të denoncimit. Balla risolli në kujtesë denoncimet e Partisë Socialiste në vitin 2012, kur kjo pronë prej 33 mijë m2 në qendër të Tiranës ka qenë në administrim dhe pronësi të Ministrisë së Mbrojtjes.
“Ndërtesa është privatizuar dhe shitur nga Ministria e Mbrojtjes dhe Ministria e Financave për 100 milionë lekë. Vetëm atyre që janë të lidhur me again në pushtet, përfaqësues të pronarëve mund t’u kthehet një pronë e tillë në qendër të Tiranës. Ne i kërkuam Ministrisë së Mbrojtjes që të sqaronte se kush janë ish-pronarët dhe kujt ia ka shitur kompleksin, por nuk patën kurajon të përgjigjen”, deklaronte në tetor 2012 Balla. Ai u shpreh se kompleksin sportiv “Partizani” e ka privatizuar dhe e ka marrë tashmë si pronë Jamarbër Malltezi, dhëndri i Sali Berishës”.
“Në shtator 2013 kompania “Homeplane” në bashkëpunin me “Kontakt” marrin leje zhvillimore për ndërtimin e një kompleksi pallatesh, tek zona e ish-kompleksit Partizani. Leja është zbardhur nga Bashkia e Tiranës në 18 gusht 2013. 6 muaj pas nisjes së punimeve, Jamarbër Malltezi futet si aksioner i këtij pallati ndërtimi”, tha Balla.
Po ashtu, ai tha se Jamarbër Malltezi është shtuar si aksioner me 35% tek kompania “Homeplane” në janar të vitit 2014, me kontribut 35 mijë lekë. Por, tha ai, vendimi për shtimin si aksioner të Jamarbër Malltezit në kompaninë “Homeplane” është regjistruar 4 vite më vonë në QKB, në dhjetor 2018.
“Si përfundim me 35 mijë lekë familja e Sali Berishës merr 1/3 e një kompleksi prej 20 milionë eurosh, shtatë vite pasi qeveri e Sali Berishës i “falte” fushat e futbollit të kompleksit “Partizani” në qendër të Tiranës. E vërteta që ne e kemi denoncuar në atë kohë vonoi por nuk harroi”, tha Balla.