Sekretari i përgjithshëm, njëherësh kreu i grupit parlamentar të socialistëve, Taulant Balla nga Kongresi i PS-së nuk kurseu rivalet politikë, ndërsa theksoi se ata janë bërë bashkë me një aleancë kundër reformës në drejtësi. Gjatë fjalës së tij para anëtarëve të PS-së, Balla pohoi se ky grup, ndërsa nuk nguroi që t’i etiketonte me fjalën ‘hienë’, nuk kursen momentet e vështira që kaloi Shqipëria, siç ishte dhe tërmeti i 26 nëntorit. Ai pohoi se në këtë aleancë të pështirë, presidenti Meta qëndron pas shpine, Bashën në krah dhe Monika Kryemadhin në çizme. “26 nëntori ishte momenti më i vështirë për gjeneratën tonë. 51 të vdekur, thuajse 1000 të plagosur, më shumë se 14 mijë familje që në më pak se një minutë humbën çatinë mbi krye. Bashkë me forcat e para të strukturave të shtetit i pari që mbërriti në Durrës ishte vetë Edi Rama e menjëherë pas pak casteve filloi misioni i kërkim shpëtimit nën rrënoja. Në emrin tuaj dua t’i shpreh mirënjohje cdo anëtari të forcave e kërkim/shpëtimit shqiptarë e të huaj, të ushtrisë, të policisë, të zjarrfikësve, të kërkim shpëtimit të minierave si dhe të mjekëve e infermierëve që kuruan mijëra plagë të mëdha e të vogla në trupat e qindra e qindra të plagosurve. Mirënjohje për solidaritetin fqinjëve e kujtdo vendi tjetër mik që na u gjend qoftë në orët e para pas tërmetit, e qoftë për atë mbështetje të paimagjinueshme në Konferencën e Donatorëve. Më shumë se 100 vende e organizma financiarë ofruan 1.15 Milardë Euro në dizpozicion të rindërtimit të Shqipërisë!

Ne socialistët duhet të ndihemi krenarë që i kemi dhënë vendit një kryeministër që arriti të bindë personalisht çdo lider të Europës dhe Lindjes së Mesme që jo vetem duhet ndihmuar Shqipëria, po që ata të jenë bashke në një konferencë të vetme donatorësh, në Bruksel, prej ku shqiptaret morën mesazhin e dyfishte të ndihmës masive financiare dhe të vëmendjes së madhe ndërkombëtare.

Motra e vëllezër, Tashmë që kemi mundësi të shohim pas me qetësi, duket ende e pamundur se si u arrit t’i jepet strehë e ushqim të ngrohtë dhe perspektivë të qartë në kohë rekord mijëra familjeve. Duket e paimagjinueshme se si u sistemuan mijëra njerëz në hotele me kushte optimale, me kujdes të posaçëm mjekësor për të sëmurët e shërbim të dedikuar arsimor për fëmijët; Se si mijëra të tjerë u sistemuan në kohë rekord në shtëpi me qera, se si mijëra të tjerëve shtabi i emergjencës iu siguroi çadrat dimërore, brenda oborreve të shtëpive të tyre të pabanueshme në fshat. Ne i thamë cdo familje e cdo shqiptari e shqptareje të prekur nga tërmeti #TiNukDoJeshKurrëVetëm, dhe e përballuam me dinjitet, përgjegjësi edhe pse duhet ta themi se kurrë më parë Shqipëria nuk ishte gjendur e përballur me një situatë të tille apokaliptike. Do t’i mbajmë mend gjatë ato ditë, si rrallë herë më parë, shqiptarët u bënë bashkë. Ato ditë ishin ditë që rrëzuan për pak momente edhe fjalët Fishtës së madh “Ma zor mblidhen dy shqyptarë, sesa mblidhet një thes me pleshta”. Edhe pse solidariteti i ndonjë hiene në krahun tjetër të politikës nuk zgjati gjatë. Shumë shpejt na u desh të përballemi me kujën e paskrupullt të hienave, që tentuan të ngjallin mosbesim, zi dhe humbje shprese, e që kulmoi ne nje shpërthim të çartur klithmash fill pas suksesit të konferencës së donatorëve. Politikanë të pashpresë, ushtarë të dëshpëruar të së keqes, njerëz të trembur deri në palcë nga reforma në drejtësi. Të gatshëm të përdorin edhe një epidemi botërore si koronavirusi, për të shpërndarë panik, nxitur ankth, kërkuar rrëmujë.

Ne, Partia Socialiste kemi sot më shumë se kurrë një mision historik. Ne kemi një kontribut konseguent qoftë kur shqiptarët na kanë besuar të qeverisim vendin tonë, qoftë në 13 vite në opozitë në zhvillimin dhe konsolidimin e demokracisë dhe sundimit të ligjit. Partia Socialiste mbetet e vetmja forcë politike me vokacion të qartë: 1.për një Shqipëri me shtet; 2.një Shqipëri me drejtësi, sundim të ligjit, ku i pushtetshmi i nënshtrohet rregullave të bashkëjetesës shoqërore njësoj si njeriu i zakonshëm; 3.një Shqipëri me rend ligjor ekonomik, ku të gjithë kontribuojnë sipas fitimit dhe askush nuk cënohet në të drejtën e tij për të fituar; e ku ai që fiton më shumë taksohet më shumë, e ai që fiton më pak taksohet më pak ose aspak. 4.një Shqipëri që sot rënditet e pesta në rënditjen globale për barazinë gjinore në qeverisje; 5.një Shqipëri me miq e me partnerë ndërkombëtarë, që bashkëpunon me dinjitet në çdo plan dhe di të respektojë të tjerët duke respektuar vetveten.

Partia Socialiste ka natyrisht përgjegjësinë dhe meritën kryesore në gjithë këtë përpjekje dhe reformim të thellë e të gjithanshëm. Sot Shqipëria është gati të fillojë bisedimet për anëtarësim me Bashkimin Europian. Sot Shqipëria është Partner strategjik dhe aleat i besueshëm i Shteteve të Bashkura të Amerikës. Sot Kryeministri Edi Rama drejton sot Organizatën më të madhe në botë për Sigurinë dhe bashkëpunimin, e që bën sëbashku më shumë se 57 shtete e mbi 1 miliard banorë. Hapa këto që shtatë vite më parë dukeshin shumë vite larg. Kontributi i socialistëve ka spikatur edhe në momente të vështira e delikate që ka kaluar vendi ynë në ngjarje me ngarkesë të madhe politike si refuzimi i tentativës për uzurpimin e demokracisë nga Presidenti famëkeq me projekt-kushtetutën e vitit 1994, zgjedhjet e 26 Majit 1996, kriza e piramidave në 1997, miratimi i Kushtetutës në 1998, kontributi i pazëvendësueshëm i socialistëve në Qeveri në luftën e Kosovës përpara, gjatë dhe pas vitit 1999, beteja për transparencën e zgjedhjeve 2010-2011. Prej korrikut 2016 në Shqipëri rreshtimi i krahëve në politikën shqiptare nuk është vetëm në nocionet bazë e majtë – e djathtë, shumicë – pakicë apo pozitë – opozitë. Prej atij momenti në Shqipëri u krijua një aleance e pështirë kundër Reformës në Drejtësi, me Sali Berishën ne balle, Ilir Metën pas shpine, Lulzim Bashën në krah dhe Monika Kryemadhin në çizme! Reforma në Drejtësi ishte dhge është angazhimi ynë themelor prej kur e propozuam për herë të parë në vitin 2008 nevojën e një reforme të tillë dhe jetësimin e të cilës e filluam sapo morëm besimin e shqiptarëve. Prej vitit 2016, kur ne zhvilluam edhe Kongresin tonë të fundit zgjedhor, Partia Socialiste ka fituar edhe dy beteja të tjera të rëndësishme elektorale. Në zgjedhjet e 25 Qershorit 2017 ne morëm numrin më të madh të votave, duke i dhënë Partisë Socialiste më shumë mandate se asnjëherë tjetër në Kuvendin e Shqipërisë. Zgjedhjet e 30 qershorit 2019 ishin po ashtu një shprehje kuptimplotë e demokracisë, sic konkludoi Raporti i Misionit Vëzhgues për Zgjedhjet, duke u garantuar e drejta kushtetuese e çdo shqiptari për të votuar. Shqiptarët votuan të qetë, duke shprehur me votë vullnetin e tyre.’, tha Balla.