Nga ARTUR AJAZI
Kriza e tejzgjatur e ish-opozitës dhe aleancës saj të brishtë, duket se e ka gjetur disi zbutjen e saj, dhe si pikë referimi Lulzimi, Gazmendi, apo dhe Enkeledi, kanë zgjedhur të merren njëherë me SPAK, OFL, dhe përditshmërisht me “bandat” e qyteteve. Madje këto të fundit janë “meraku” më i madh i sekretarëve të SHQUP-it. Kjo për faktin sepse tanimë kanë me se të merren, pasi njëherë i “sulen” bandës së grupit “Bajri”, një ditë tjetër bandës së Durrësit, pastaj asaj të Lushnjes, i rikthehen asaj të Rrugës së Kavajës, shkojnë tek bandat e Vlorës, tek ajo e Dibrës, etj.
Nga Janari në Dhjetor, ish-opozita veçse me “bandat”, emrat dhe proceset e tyre gjyqsore do të merret. Eshtë një mundësi e mirë, një variant i ri të bërit “opozitë”. Duke i kujtuar SPAK-ut, apo OFL-së, se “me cilin grup apo bandë duhet të merren”,duke i paranjoftuar ata se “mungesa e hetimit ndaj këtyre bandave, është dështimi juaj”, sekretarët e Lulzim Bashës njeriut që ka vendosur të flasë “live” në fb me ndjekësit e tij, thjesht po shtyjnë muajt me budallalliqe.
Duke ndarë “punët dhe sektorët” me Gazin, kryetari Basha nga ana e tij ka vendosur të shtrohet “gju më gju” me popullin në biseda të gjata në fb, e tij. Ai ka vendosur të mos merret shumë me bandat, por ti kthehet edhe njëherë “sqarimit” celular më celular, të çdo personi që pranon ftesën e tij. Duke hapur “një dritare më shumë” për të folur dhe qenë pranë çdo shqiptari, kryetari Basha ka menduar se “qytetarët duhen sqaruar, sepse ne opozita reale duam zgjedhje të parakohshme, dy palë zgjedhje në një ditë”. Së fundi, sipas tij vetëm zgjedhjet e parakohshme, janë zgjidhja e krizës. Lulzimi e ka ndarë mëndjen, “o zgjedhje të parakohshme o luftë kësaj qeverie”.
Në fakt, këto kërkesa Lulzim Basha i kishte edhe në muajin shkurt të 2019, dhe rezultati ishte më keq se kaq. Ai dogji mandatet, bojkotoi zgjedhjet, dogji institucionet, dhe së fundi i mëson SPAK-ut dhe OFL-së, “si të bëjnë detyrën, cilën bandë të hetojnë, cilin varsës të arrestojnë” pa e kuptuar se ata janë jashtë çdo konturi ligjor. Ata nuk kanë asnjë përfaqësues në Parlament, pasi emrat që zunë vendet e tyre nuk pranojnë se janë bishti i PD.
Ata nuk kanë asnjë përfaqësues në bashki dhe këshillat bashkiakë, pasi i braktisën dhe nuk i njohën zgjedhjet, ata nuk qasen dhe provokojnë çdo ditë , për të gjetur një shkak, për të sabotuar edhe Reformën Zgjedhore, por sërish bëjnë sikur të ishin “forcë e parë” politike në Shqipëri. Përpos kësaj situate, edhe më qesharake e bëjnë rolin dhe pozicionin e ish-opozitës, edhe paranjoftimet e saj se “nxitoni, kemi një deklaratë për shtyp, dënojmë qeverinë që ka lënë njerëzit rrugëve, shqiptarët po vuajnë urie”.
A thua, se shqiptarët jetojnë në Korenë e Veriut, dhe nuk i njohin manipulatorët e veshur firmato dhe me makina 50 apo 100 mijë euroshe. A thua, se shqiptarët janë aq tuafë, sa të besojnë dështakët e djeshëm, dhe do tu shkojnë mbrapa, atyre që për 8 vjet nuk dëmshpërblyen as fermerët (demokratë) e Shkodrës që u përmbytën, dhe jo pastaj të rindërtonin qytetet e prekura nga tërmeti tmerrshëm.
Gjithsesi, në rrjetet sociale ka plasur gallata, pasi shumica e shqiptarëve , “dritaren” e hapur në fb nga kryetari Basha, po e shohin më tepër si ekranin e vogël, ku mund të dëgjosh ndonjë battue, apo dhe premtim, që do të gajasë së qeshuri deri në fund të ditës.