Ne kemi intervistuar Kryetarin e Bashkisë, Elton Arbana për tu njohur më mirë me situatën aktuale dhe Programin e Rindërtimit. Zoti Arbana keni pasur takime të drejtpërdrejta me banorët e prekur nga tërmeti. A mendoni se procesi po përfundon me sukses? Takimet me të gjithë banorët e Shijakut dhe Njësive kanë qenë të domosdoshme gjatë kësaj faze, pasi është paraqitur Masterplani i ri për Rindërtimin, zonat e reja të zhvillimit dhe gjithashtu është folur në lidhje me përfundimin e aplikimeve online në portalin “Shtëpia ime” që është në dispozicion të banorëve deri me 28 shkurt. Janë diskutuar dhe problematika të ndryshme.
A kanë njerëzit shpresë që çdo gjë do të kthehet si më parë, pra a do të kenë shumë shpejt shtëpitë e tyre? Padiskutim që po! E kam thënë dhe vazhdoj ta them me bindje që Shijaku pas Rindërtimit do të ketë një pamje të re. mVetëm në lagjen “Lugina” që është më e dëmtuara, do të ndërtohen 20 pallate apo shtëpi kolektive. Asnjë banor të cilit i është dëmtuar shtëpia nuk do të mbetet jashtë. Madje do të ketë dhe shërbime të tjera publike si biblioteka etj. Përfundimi i aplikimeve online shënon dhe fillimin e fazës tjetër, asaj të Rindërtimit që pritet të nis në muajin mars.
Si e ka përballuar Bashkia gjithë këtë fluks? Për të përballuar fluksin e aplikimeve në Bashkinë e Shijakut janë vënë në dispozicion 29 sportele për plotësimin e formularëve të rindërtimit çdo ditë të javës, madje është punuar me dy turne.
Po sa i takon qerave aktualisht sa familje e përfitojnë bonusin e miratuar nga Qeveria? Bashkia ka aprovuar bonusin e qirasë për 593 familje, i cili do të jepet deri në përfundimin e shtëpive. Falë angazhimit maksimal të Qeverisë dhe nën kujdesin e Kryeministrit Rama , 650 banesa individuale dhe 30 banesa kolektive (pallate) do të rindërtohen nga fillimi, pasi në total janë rreth 5000 banesa të dëmtuara.
Më konkretisht, në Bashkinë e Shijakut janë 5000 banesa që kanë dëmtime DS1, DS2 dhe DS3, pra të lehta, mesatare dhe të rënda. Të tjerat kanë Ds4, Ds5 që duhen rindërtuar.
Po sa i takon shkollave, kopshteve? Shkollat do të kenë prioritet. Tre shkolla do të ndërtohen nga e para me kushte shumë të mira, gjithashtu dhe shumë të tjera do të përfundojnë restaurimin për të sjellë kushte më të mira për nxënësit e mbi të gjitha më të sigurta. Do të kemi një kopsht dhe çerdhe të re, pasi fëmijët tanë meritojnë më të mirën. Ashtu si dhe slogani juaj: “Ku ka vullnet, ka zgjidhje!”, kemi degjuar që i përkushtoheni shumë çdo qytetari. Me kaq shumë fluks pune, që pas tërmetit të Nëntorit e keni perballuar më së miri situatën. A keni ndonjë koment në lidhje me këtë?
Unë thjesht po bëj detyrën time. Është një punë që e bëj me pasion dhe dëshirë të madhe për t’i shërbyer çdokujt që ka nevojë nga Bashkia si institucion.
Qytetarët më kanë besuar për t’i përfaqësuar dhe kjo për mua është një përgjegjësi e përditshme për të dhënë më të mirën time për të gjithë banorët.
Në përfundim, një mesazh për të gjithë banorët e Shijakut? Mund të them vetëm se kemi shumë shpresë për të ardhmen e Shijakut, pasi Shijaku i 2020 do të jetë ai që kam ëndërruar unë si kryebashkiak dhe çdo banor që jeton aty. Gjithmonë së bashku do të bëjmë më të mirën për qytetin tonë.