Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka vizituar maternitetin “Koço Gliozheni” ku deklaroi se 3000 fëmijë kanë përfituar bonusin e bebes për vitin 2020, ndërsa nga fillimi i programit një vit më parë janë më shumë se 40 mijë përfitues. “Orioni është fëmija i 3000 i ardhur në jetë në 2020, që ka përfituar bonusin e bebes për këtë vit, ndërsa shumë se 40 mijë fëmijë kanë përfituar nga politika sociale e qeverisë e cila mbështet familjet”, thotë Manastirliu.

Politika më e re sociale e qeverisë e bonusit të bebes u jep familjeve 40,000 leké për fëmijën e parë, 80,000 për fëmijën e dytë dhe 120,000 për fëmijën e tretë. 26 534 fëmijë kanë lindur në spitale publike, 2590 në spitale private dhe 11,057 jashtë vendit. Prindërit e fëmijëve të sapolindur e tërheqin çekin e bebes në maternitetin ku ndodhen duke kryer regjistrimin e menjëhershëm të fëmijës, duke shmangur të gjitha vonesat dhe burokracitë që kanë ndodhur më parë.