Integrimi europian i Ballkanit Perëndimor mbetet investimi ynë kyç gjeostrategjik dhe politik për të përforcuar paqen, pajtimin, stabilitetin dhe prosperitetin në Europë. Kështu deklaroi sot ministri i jashtëm i Italisë, Luigi Di Maio, në një mëngjes pune me ministrat e jashtëm të BE në Bruksel, të organizuar nga di Maio, në mbështetje të çeljes së negociatave të BE-së me Shqipërinë. Në këtë mëngjes pune po merr pjesë edhe Kryeministri Edi Rama.

“Lidhur me negociatat për zgjerim hapja e këtyre negociatave do të shënjojë vetëm fillesën e jo përfundimin e rrugëtimit europian. Nuk mund të nënvlerësojmë ndikimin potencial të hezitimeve tona në Ballkan sidomos kur bëhet fjalë për qëndrimet reformatore në rajon”, – tha Di Maio. Ministri i Jashtëm italian u shpreh se “qysh prej Këshillit të parë të Jashtëm në dhjetor shtetet anëtare dhe Komisioni janë angazhuar në një përpjekje të përbashkët për ta shndërruar dhe për ta barë procesin e zgjerimit më të besueshëm e për të rivendosur besimin e ndërsjellë mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor”.

“Sapo bëra një vizitë javën e kaluar në Prishtinë, Shkup, Prishtinë dhe Beograd, pasi vizitova Shqipërinë në verë. Ky diskutim na lejoi që të rinovonim konsensusin e përparimet e së ardhmes për zgjerimin dhe për të konfirmuar se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në BE. Për të arritur këtë objektiv shteti i së drejtës duhet të mbetet gur themeli i procesit të zgjerimit. Angazhimi ynë kolektiv konfirmon se edhe njëherë ne të gjithë jemi të vetëdijshëm se çfarë është në lojë përfshi edhe besueshmërinë e BE-së si aktor global”, – tha Di Maio.