Inxhinierja e njohur Luljeta Bozo, pjesë e Komitetit Kombëtar të Rindërtimit, deklaroi sot se modelet e shtëpive që janë miratuar për t’u ndërtuar për banorët e prekur nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit të shkuar janë shumë të sigurta dhe përdoren në të gjithë botën.
E ftuar në një studio televizive, Bozo tha se tre modelet janë përcaktuar në bashkëpunim dhe me ekspertë të huaj. “Modelet kanë avantazhe, krahasuar me shtëpitë tradicionale, pasi do të ndërtohen të gjitha mbi një pllakë betonarme që do të thotë se themelin e kanë pllakë që është më i sigurti për t’u bërë ballë tërmeteve. Struktura do të jetë më e lehtë, pasi do të jetë metalike dhe me elementë veshës që janë termo dhe zë izolues shumë të mirë. Modeli u përcaktua duke patur parasysh elementët e sigurisë”, deklaroi Bozo.
Modele të tilla, tha ajo, janë zbatuar në të gjitha vendet e botës. “Është bërë një punë e madhe, – theksoi ajo, – me hartimin e raportit të dëmeve dhe nevojave të rindërtimit i cili i shërben qeverisë për të shkuar në konferencën e donatorëve që pritet të zhvillohet në Bruksel në datën 17 shkurt”. Sipas saj, grupet e inspektimit arritën një një kohë të shkurtër të sillnin një situatë të qartë për të gjitha zonat e dëmtuara.
“Tashmë kemi një pasqyrë të qartë dhe të saktë të dëmeve”, vuri në dukje ajo. Bozo vlerësoi edhe planet që ka paraqitur qeveria sa i takon zonave rurale, ku parashikohet përqendrimi i banorëve në një zonë të caktuar, çka do t’u mundësonte atyre edhe shërbime infrastrukturore më të mira.