Bujqësia është shndërruar në një prej sektorëve me prodhimin më të lartë në vend, duke luajtur një rol vendimtar në rritjen e përgjithshme të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Të dhënat zyrtare tregojnë se në vitin 2019 Shqipëria eksportoi 36 miliardë lekë eksporte bujqësore, duke kaluar për herë kufirin e 300 milionë eurove. Krahasuar me vitin 2018, vëllimi i eksporteve shqiptare është rritur me 9%. Në harkun kohor të pesë viteve, eksportet bujqësore janë më shumë se dyfishuar, duke kaluar nga 140 milionë euro, në më shumë se 300 milionë.
Një rritje e tillë duket se është nxitur nga një numër politikash shtetërore, midis të cilave ajo e subvencioneve direkte të fermave prodhuese dhe eksportuese, financimi i agroturizmit, politika e rajonalizimit, ngritja e një zinxhiri pikash të grumbullimit dhe buxheti i rritur disa herë për vaditjen dhe kullimin. Bujqësia dhe agroindustria janë dy nënsektorët me rritjen më të lartë të vitit, secili me mbi 11%. Sa i përket produkteve specifike, një bum të jashtëzakonshëm njohu eksporti i zarzavateve, i rritur me 40% në harkun kohor të vetëm një viti, ndjekur nga pjepri dhe shalqiri (+21%), peshku i tharë dhe bimët medicinale, secili me mbi +8.
Një rritje të shkëlqyer ka arritur edhe sektori shqiptar i prodhimi të ujit mineral. Ujrat natyralë janë rritur me 31% ndërsa ujrat me sheqer me plot 57%. Rritja e prodhimit ka bërë të mundur që vit pas viti, raporti midis eksport-importit të rritet në favor të të parit. Edhe pse Shqipëria vazhdon të jetë një vend importues, raporti është ngushtuar sërisht në 1:3.2. Një tregues i tillë, deri në vitin 2014 ka qenë rreth 1 me 7. Pra për çdo lek produkt bujqësor të eksportuar, shpenzoheshin 7 lekë për të mbuluar nevojën me mallra importi.
Të dhënat e FAO, Organizatës Botërore të Ushqimit tregojnë se Shqipëria është shndërruar në një lider të padiskutueshëm rajonal në prodhimin e domates, kastravecit dhe shalqinjve e pjeprit. Në këto produkte, Shqipëria ka një rendiment prodhimi dhe eksporti më të lartë se ai i të gjithë vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor, ndërsa përsa i përket domates, vendi pozicionet në top-10 e prodhuesve europianë. Megjithatë, krahasuar me tokën bujqësore në dispozicion, Shqipëria kë një rendiment prodhimi shumë më të lartë se Italia dhe Spanja, liderët absolutë kontinentalë.
Top 10 i produkteve më të eksportuara shqiptarë, pas domateve, pjeprit, shalqinjve dhe kastravecit plotësohet nga ujrat mineralë dhe ata të gazuar, zarzavatet, agrumet, mollët dhe dardhat, bimët medicinale, lakër & lulelakër dhe zarzavate të konservuara.