Për Ballkanin është me rëndësi hapja e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Gjatë qëndrimit në Mynih, ministri në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, zhvilloi takime me Presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski dhe me ministrin e Jashtëm të Maqedonisë, Nikola Dimitrov.
Takimet patën si temë qendrore diskutime mbi perspektivën europiane të dy vendeve dhe reformat e ndërmarra në kuadër të çeljes së negociatave me Bashkimin Europian. Kryediplomati Cakaj u shpreh se, bashkëfolësit këmbyen mendimet e bashkërenduan qëndrimet për punën para vendimit për çeljen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
“Hapja e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut është e një rëndësie të veçantë për nxitjen e reformave të brendshme dhe zhvillimin e Ballkanit Perëndimor në përgjithësi”, theksoi Cakaj.