I dërguari i posaçëm i SHBA Richard Grenell i ka bërë thirrje qeverisë së re të Kosovës që të heqë taksën e importit 100% për mallrat nga Serbia (dhe Bosnja), të cilat janë një nga arsyet për bllokimin e negociatave Serbi-Kosovë.

“Ne presim që tarifat të hiqen menjëherë,” tha Grenell në një prononcim për AP. Grenell, i cili është edhe ambasadori amerikan në Gjermani, tha se Shtetet e Bashkuara “ua sqaruan liderëve të partive në Kosovë se heqja e taksës është në interesin më të mirë të Kosovës dhe ekonomisë së saj, si dhe dëshirën e saj për të tërhequr vende të reja pune”. AP kujton se Grenell muajin e kaluar ndërmjetësoi një marrëveshje për rikthimin e komunikimit ajor dhe hekurudhor midis Beogradit dhe Prishtinës.

“Ne po bëjmë përparim historik. Do të ketë lajme të reja menjëherë pasi të dy palët duan të ecin përpara. Këto hapa do të kontribuojnë në një jetë më të mirë për njerëzit e rajonit,” theksoi Grenell. Nga ana tjetër, kreu i diplomacisë europiane Josep Borrell, përshëndeti formimin e një qeverie të re të Kosovës, duke nxitur atë që menjëherë të vazhdojë dialogun me Serbinë. “Nuk ka asnjë alternative për vazhdimin e shpejtë të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës,” tha ai.

Borrell tha se qeveria e re e Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti, pret shumë punë për të zbatuar Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, Axhendën e Reformës dhe ndryshimin në sundimin e ligjit dhe zhvillimin socio-ekonomik. “Bashkëpunimi rajonal duhet të përmirësohet ashtu siç duhet, edhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë. Në këtë kontekst, ne presim një vazhdim të shpejtë të dialogut Kosovë-Serbi të mbështetur nga BE për të arritur një normalizim gjithëpërfshirës të marrëdhënieve”, thekson Borrell.

Përfaqësuesi i Lartë i BE shton se “status quo”-ja e tanishme në dialog është e paqëndrueshme. Ai bëri thirrje për angazhim të përtërirë të Kosovës në nismat rajonale dhe strukturat për bashkëpunim në Ballkanin Perëndimor. “Sfidat me të cilat përballet Kosova janë të mëdha, por dhe potenciali është i madh”, tha Borrell. Ai përsëriti gatishmërinë e BE për të ndihmuar Kosovën në procesin e reformës, veçanërisht kur bëhet fjalë për forcimin e “sundimit të ligjit për të gjithë”, përmirësimin e administratës publike që duhet t’u shërbejë qytetarëve, dhe krijimin e vendeve të punës.