“Shqipëria nuk do të ‘qëndrojë pas derës së Evropës dhe të qajë’ që ajo të hapet”, i tha AFP-së, kryeministri Edi Rama duke theksuar se Tirana duhet të përqendrohet në të ardhmen e vet, pasi ‘Brukseli i zgjidh pyetjet me gjemba gjatë procesit të pranimit’. Brukseli prezantoi strategjinë e re për integrimin, por kryeministri Rama nuk është optimist. “Nuk pres asgjë” tha Rama. “Ne duhet të bëjmë gjërat që duhet të bëhen” pavarësisht nga vendimet në Bruksel, tha ai, duke shtuar se vendi nuk mund “të vazhdojë të jetojë me këtë ankth të pritjes për diçka që nuk është në duart tona”.
“Ne nuk do të qëndrojmë te dera e Evropës dhe të qajmë. Ne nuk jemi në këtë rrugë sepse francezët ose gjermanët po na kërkojnë, por sepse është rruga e vetme e arsyeshme për të ardhmen e fëmijëve tanë dhe për të ardhmen e këtij vendi. Europa po vuan, nuk funksionon ashtu siç duhet, është e qartë. Shqipëria bëri më shumë se çdo vend tjetër për hapjen e negociatave. Por vendi do të vazhdojë t’i bëjë detyrat e veta shtëpiake (sepse) ne nuk po i bëjmë ato për ta, ne po i bëjmë vetë”.
Kryeministri Rama u ndal edhe te konferenca e donatorëve që do të zhvillohet në 17 Shkurt në Bruksel. “Ne e vlerësojmë shumë vullnetin për të organizuar këtë konferencë dhe shpresojmë që ajo të jetë e suksesshme” tha Rama. I pyetur nëse tërmeti ishte një thirrje zgjimi për Shqipërinë në përgjithësi, Rama tha se ai ishte “realist”. “Kjo është një mundësi e madhe për vendin që të demonstrojë se po i bën gjërat ndryshe. Por për të thënë që shqiptarët do të bëhen suedezë, nuk mendoj se do të ndodhë” përfundoi ai.