1/8 e Champions League vijojnë sonte me dy superndeshje. Napoli pret Barcelonën në “San Paolo” ndërsa Chelsea përballet me Bayernin e Mynihut. Në një moment pozitiv Napoli sfidon Barcelonën në debutimin e trajnerit Gattuso në Champions. “Barcelona është më e fortë por ne do të luajmë shanset tona. Messi sot për sot është më i forti në botë por ne nuk po i përgatisim një kafaz” deklaroi tekniku. Hysaj pritet ta nisë nga pankina ndërsa mungesë e rëndësishme është Koulibaly. Demme pritet titullar ndërsa sulmi do jetë me treshen Insigne, Mertens e Callejon. Leo Messi është pritur si hero në tokën e Diego Maradonës dhe është gati për ndeshjen e sotme ashtu si e gjithë Barcelona. Jordi Alba e Sergi Roberto mungojnë ndërsa në krah të Messit e Griezmann pritet Ansu Fati. Edhe Quique Setien bën debutimin në Champions dhe për ndeshjen sqaron:” Pres Napolin më të mirë por ne do bëjmë lojën tonë dhe duam fitoren”. Takimi nis në 21:00 dhe arbitrohet nga Felix Brych.
Dueli tjetër i mbrëmjes është Cheslea-Bayern Mynih. Në Londër pritet spektakël dhe trajneri Lampard sqaron se përveçse do kujdes për mbrojtjen do shohë shumë edhe nga sulmi. Kante mungon për shkak dëmtimi. Tekniku i Bayernit Hansi Flick respekton rivalët por thotë që skuadra e tij do luajë në sulm për ta fituar takimin. Lewandowski është ai nga i cili pritet të zgjidhë takimin. Ndërsa Liverpooli është vetëm katër fitore larg titullit. “The reds” mposhtën mbrëmë 3-2 West Ham në “Anfield Road” dhe rikthehen 22 pikë diferencë nga vendi i dytë. Wijnaldum, Salah e Mane ishin autorët e golave ndërsa djemtë e Klopp siguruan fitoren e 26-të në 27 takime. 18 fitore radhazi për Liverpool.