Ditën e djeshme, moderatorja Ilda Bejleri u përfshi në një aksident me makinë pranë Drejtorisë së Policisë në Tiranë. Siç u bë e ditur, Ilda kishte përplasur me makinë një 64-vjeçare, ndërsa më pas ishte larguar nga vendi i ngjarjes. Moderatorja i mohoi këto akuza, duke u shprehur e bindur se nuk e kishte prekur aspak gruan e moshuar, ndaj e kishte parë të arsyeshme të mos qëndronte në vendin e ngjarjes.
Pas denoncimit të gruas, Bejleri u shoqërua në polici dhe makina e saj “X5” u sekuestrua nga policia. Sot është bërë publik edhe njoftimi zyrtar i policisë për moderatoren, ku është bërë i ditur fakti që makina e saj është sekuestruar dhe ajo do të hetohet tashmë në gjendje të lirë. Ilda është akuzuar për “Shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Largim nga vendi i aksidentit”.
Nëse këto akuza do të provohen, atëherë moderatorja do të dënohet me gjobë ose me burgim deri në 1 vit. Gruaja e cila pretendon se aksidentua nga Ilda Bejleri u shpreh se do ta kishte falur moderatoren nëse ajo nuk do të largohej pas aksidentit. 64-vjeçarja ndodhet në Spitalin e Traumës, jashtë rrezikut për jetën.