“Gjermania do të vazhdojë ta mbështesë Shqipërinë në përafrimin e saj në BE”, deklaruan dy përfaqësues të koalicionit qeverisës CDU-FDP të landit federal me numrin më të madh të banorëve në Gjermani, Nordrhein-Westfalen, të cilët vizituan Shqipërinë nga data 25 deri më 27 shkurt. Gjatë vizitës në Shqipëri ata zhvilluan biseda me përfaqësues të qeverisë, opozitës dhe shoqërisë civile, për t’u informuar mbi situatën aktuale të Shqipërisë dhe gjendjen pas tërmetit të muajit nëntor.
Pjesë e programit ishte edhe një vizitë në Portin e Durrësit, gjatë së cilës delegacioni bisedoi me drejtorinë e Autoritetit Portual dhe dy firmat gjermane, të cilat operojnë në Terminalin e Trageteve dhe në njërin nga Terminalet e Kargove.
Në mbyllje të bisedave të tyre dhe pak përpara nisjes, zëvendësministri Joachim Stamp dhe ministri për Çështjet Federale, Europiane dhe Ndërkombëtare, Stephan Hothoff-Pförtner deklaruan se, “midis Landit tonë Federal, Nordrhein-Westphalen dhe Shqipërisë ka shumë marrëdhënie të ngushta. Me këtë vizitë ne donim të demonstronim një shenjë solidariteti dhe të konfirmonim që ne qëndrojmë fort në krah të Shqipërisë. Kjo vlen veçanërisht pas tërmetit të rëndë të nëntorit. Por Gjermania do të vazhdojë ta mbështesë Shqipërinë edhe në përafrimin e saj në BE. Është me rëndësi qendrore që të gjitha forcat politike të bashkëpunojnë në mënyrë konstruktive, të ulen në tavolinë dhe të çojnë përpara kursin e reformave në vend.”