Ministrja e Financave Dhe Ekonomisë, Anila Denaj priti sot në një takim ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në Tiranë, Yuri Kim. “Në takimin me Ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim theksova angazhimin e Shqipërisë në prioritetet e përbashkëta të dy vendeve. Me kënaqësi falenderova ambasadoren për mbështetjen që Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë dhënë vendit tonë ndër vite dhe mbi të gjitha për mbështetjen e madhe në kuadër të reformës në drejtësi”, shpreh ministrja Denaj.

Rrugëtimi Euro-Atlantik i Shqipërisë dhe reforma në drejtësi, vuri në dukje ministrja Denaj, do të kenë përherë mbështetjen e nevojshme financiare dhe do të jenë në vëmendje të vazhdueshme të ministrisë së Financave dhe Ekonomisë. Gjatë takimit, sipas ministres Denaj, u diskutua edhe mbi bashkëpunimin ekonomik dhe përmirësimin e klimës së biznesit.

“Investimet amerikane në vend, asistenca teknike e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe mbështetja për përmirësimin e legjislacionit shqiptar, na bashkojnë në vazhdimësi në punën tonë të përditshme në këtë detyrë. Do të mirëpresim çdo investitor të ri amerikan, që do të zgjedhë Shqipërinë, me bindjen se arsimi profesional në vend dhe komunikimi me sipërmarrësit ofrojnë platformën e duhur për zhvillimin e bizneseve të reja”, deklaroi Denaj.