Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump ka thënë se i dërguari i tij për dialogun Kosovë-Serbi, ambasadori Richard Grenell, ka bërë një punë fantastike dhe se do të vazhdojë të jetë i dërguar për dialogun. Megjithatë presidenti Trump tha se do të emërojë një ambasador të ri në Gjermani. I pyetur nga Zëri i Amerikës, presidenti e konfirmoi se Ambasadori Grenell do të vazhdojë të shërbejë si i dërguar i posaçëm për bisedimet Kosovë Serbi.
“Do të emëroj një ambasador të ri në Gjermani. Ambasadori Grenell do të vazhdojë si i dërguar për Kosovën dhe Serbinë pasi po bën një punë shumë të mirë. Ai i njeh mirë zyrtarët. Ka bërë punë fantastike. Do ta vazhdojë. Të gjithë thonin se ishte një marrëveshje e paarritshme, por ai e realizoi. Ishte diçka shumë pozitive për këto të dyja vende”, tha presidenti duke iu referuar marrëveshjeve të fundit për rihapjen e transportit ajror dhe hekurudhor Kosovë-Serbi. Presidenti Trump e emëroi të mërkurën e kaluar Ambasadorin Richard Grenell si kreun e përkohshëm të zbulimit kombëtar, ndërsa është duke kërkuar për një kandidaturë për drejtor të përhershëm. Presidenti i bëri komentet në Shtëpinë e Bardhë para se të nisej për vizitën e tij në Indi.