Veliaj: “Do hapim 38 palestra të reja për fëmijët dhe të rinjtë që duan të merren me sport”. Përveç 62 palestrave, shkollave të Tiranës do u shtohen edhe 38 të tjera, të gjitha për të fëmijët dhe të rinjtë që duan të merren me sport. Teksa mori pjesë në një ndeshje futbolli mes fëmijëve të vegjël, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, gjatë aktivitetit “Dita Kombëtare e Sportit në Katar”, tha se palestrat do të shërbejnë jo vetëm për nxënësit e shkollave, por edhe pas mësimit për kurse sportive, futboll, volejboll, basketboll e aktivitete të tjera.

“Jeta nuk ka vetëm fitore apo jo!? Ndonjëherë fitojmë, ndonjëherë humbasim. Kur jemi skuadër, edhe fitoren e menaxhojmë me modesti, edhe kur humbim nuk është se vjen fundi i botës, se ka ndeshje prapë, apo jo? Një ndër gjërat që do bëjmë këtë vit është se përveç 62 palestrave, do hapim edhe 38 palestra të tjera për pas mësimit, që të përdoren nga kurset sportive”, tha Veliaj.

Ai falenderoi popullin e Katarit që i është ndodhur pranë qytetarëve të Tiranës, jo vetëm në ditë gëzimi, por edhe në ditë nevoje. “Falenderimin e parë e keni për faktin se e keni kthyer në një aktivitet që i përfshin të gjithë, edhe djemtë, edhe vajzat. Jam sot shumë mirënjohës për mikun tim, ambasadorin Al Marri të Katarit, i cili na gjendet jo vetëm në ditët tona të nevojës, kur kemi përmbytje apo tërmete, por edhe në ditët tona të gëzimit. Ne kemi filluar një traditë, e filluam vjet me një mini-kampionat. Tani kampionati është pak më i madh, e gjithë Shqipëria do ju ketë zili sepse ju jeni të parët që keni luajtur me topat zyrtarë të kampionatit botëror të futbollit ‘Katar2022’”, nënvizoi Veliaj.

Kryebashkiaku kishte edhe një këshillë për fëmijët: “Me një lule nuk vjen pranvera, thonë tironsit. Kjo do të thotë, se me një ndeshje nuk bëhemi të shëndetshëm. Na lipset të stërvitemi përditë, kërkohet të jemi çdo ditë të shëndetshëm. Pra, të hamë ushqim të shëndetshëm, jo patatina, pije me gaz e sheqer, të hamë më shumë fruta e perime, të merremi më shumë me sport”, tha ai. Projekti i Bashkisë së Tiranës për hapjen e sa më shumë palestrave nëpër shkollat e kryeqytetit, është shtrirë në të gjitha institucionet arsimore dhe shfrytëzohen si hapësira sportive për fëmijët dhe të rinjtë.