Një ditë më parë, gazeta TemA publikoi vendimin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, i datës 11 Janar 2012, ku caktohej masa e sigurisë “ar rest me burg” për Bledar Dervishaj, ish- drejtor i Zyrës Rajonale të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave Tiranë, që sot është këshilltari ligjor i presidentit Meta. Nga hetimet e Prokurorisë kishte rezultuar se Dervishaj dhe zyrtarë të tjerë të Z.R.K.K.P, duke shfrytëzuar pozitën zyrtare kishin regjistruar në mënyrë të paligjshme një pronë shtetërore, në favor të shtetasve Fejzilete Spahiu e Minerva Jenisheri në bregdetin e Spillesë. Edhe pse Dervishaj i ishte drejtuar Gjykatës së Apelit Tiranë dhe më pas Gjykatës së Lartë, masa e sigurisë arrest me burg u la në fuqi deri në momentin kur Dervishaj siguroi një raport mjekësor që e nxirrte me probleme në rrahjet e zemrës dhe me probleme të hemoroideve, që sipas avokatit ia bënin të vështirë qëndrimin në burg. Pas kësaj, Dervishaj kaloi në arrest shtëpie.
Vendimi i publikuar i gjykatës provonte se këshilltari i Metës që sot ka dalë si shpëtimtari i Kushtetutës, ka ndryshuar zërin kadastral të pronave të regjistruara në zyrën e tij, nga tokë “ranishte”, në pronë “arë-pylli” dhe më pas ka kryer pozicionim hartografik të pronave të kthyera të pasaktë. “Pozicioni hartografik i pronave të kthyera familjes Jenisheri me vendim të Z.R.K.K.P është bërë mbi pasuri që në harta identifikohen si ranishte ose duna rëre dhe janë pozicionuar midis ujit të detit dhe kufirit perëndimor të tokës bujqësore (për pronën e kthyer në fshatin Spille me vendim të Dervishajt) dhe ujit të detit dhe moçalit (për pronën e kthyer në fshatin Vile-Bashtoce). Pra, pozicionimi i tyre nuk është bërë mbi pasuri që në këto harta identifikohen si toka arre”, thuhet në vendimin e Gjykatës.
Duke i ndryshuar pozicionin gjeografik pronës, Dervishaj i ka kaluar në pronësi kësaj familjeje një sipërfaqe e cila është ranishte dhe që shkon deri në kufijtë ujor të detit dhe që nuk ka përputhje me kufijtë e para shpronësimit. Këto veprime nuk mbështeten në asnjë akt ligjor. Në këtë mënyrë, shtetasi Bledar Dervishaj, ish- drejtor i zyrës ka qënë në dijeni se po privatizohej një sipërfaqe ranishte me pronar shtetin dhe se kjo pasuri ndodhej jashtë dhe larg territorit në te cilin ndodhet pasuria e pretenduar nga familja Jenisheri. Por si nisi kjo çështje dhe cilat janë provat që çuan nën arrest Bledar Dervishajn? Në vendimin e gjykatës së rrethi gjyqësor Tiranë, sqarohet gjithçka. Referuar ligjit “për kthimin dhe kompensimin e pronave”, zyra e agjencisë së kthimit dhe kompensimit të pronave në Qark, ku Dervishaj ishte drejtor para vitit 2012, plotëson gjithë dokumentacionin e nevojshëm për trajtimin e pronave të paluajtshme që do të njihen apo kompensohen duke kërkuar dokumentet e nevojshme nga institucione të tjera. Në këtë rast, Prokuroria sekuestroi në cilësinë e provës materiale dosjet e kthimit dhe kompensimit të subjektit të shpronësuar Neime Jenisheri pranë zyrës së Tiranës.
Nga kqyrja e këtyre dokumentave rezultoi se Minerva Jenisheri dhe Fejzilete Spahiu janë trashëgimtare ligjore të subjektit të shpronësuar Neime Jenisheri, tokat e së cilës ishin regjistruar para reformës agrare të vitit 1946. Vlerësimet ligjore për kërkesën e datës 04.06.2007 nga avokati i zonjave dhe për kërkesën tjetër të datës 05.07.2007 për pronat e familjes Jenisheri të ndodhura në fshatin Vile-Bashtove-Kavaje jane miratuar nga drejtori i Zyres Rajonale te K.K.P Tirane, Bledar Dervishaj. Po ashtu, vendimi me numër 261 i datës 28.08.2008 i zyrës rajonale të K.K.P Qarku Tiranë në lidhje me një sipërfaqe prej 150 000 metra katror e ndodhur në fshatin Spille-Kavaje (prone e familjes Jenisheri) dhe vendimi numer 276 i datës 10.09.2008 i kësaj zyre, në lidhje me sipërfaqen prej 47 mije metra katror e ndodhur në fshatin Vile-Bashtove-Kavaje është dhënë nga drejtori Bledar Dervishaj.
Nga kqyrja e hartave të viteve 1937, 1947 dhe 1978 rezulton se pozicionimi hartografik i pronave të Neime Jenisherit të kthyera me vendimet e mësiperme të Bledar Dervishajt, është bërë mbi pasuri që në këto harta identifikohen si “p.f” (pa frut), lloji i pasurisë “ranishte”. Por, nga shqyrtimi i dokumentacionit ligjor që ndodhet në dosje, konkretisht vërtetimet e pronësisë me pronare Neime Jenisheri lëshuar nga Z.V.R.P.P Kavajë, rezulton qe keto prona identifikohen si pasuri “Arre” dhe ndodhen në katundin Spille dhe katundin Greth. Në këto kushte, Prokuroria ka vendosur kryerjen e një ekspertimi topografik për një hetim më te plotë të çështjes nga ku arrihet në përfundimin se: Regjimi juridik i tokes objekt hetimi, kthyer ish pronareve nga zyra e drejtuar prej Bledar Dervishajt duke u mbeshtetur në hartat e viteve 1937, 1947, 1959 dhe 1978 rezulton tokë me zërin kadastral p.f (tokë pa frut ose pasuri ranishte).
Në bazë te vendimeve të dhëna nga Dervishaj në 28.08.2008 dhe 10.09.2008 është bërë ndryshimi i zërit kadastral të pronave të regjistruara në këtë zyrë , nga pasuri ranishte në pasuri arë pylli (për pronen e kthyer në zonën e Spillesë). Dhe po ashtu, ndryshimi nga pasuri “ranishte” në “kanal” dhe pasuri “arë pyll”, për pronën e kthyer në zonën e Vilë-Bashtove. Pra pozicioni gjeografik i pronave të kthyera familjes Jenisheri me vendimet e Zyrës së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave të Qarkut Tirane është bërë mbi pasuri që në këto harta identifikohen si ranishte apo duna rëre. Për këto arsye, grupi i ekspertëve mendon se pozicionimi i këtyre pronave nuk është bërë i saktë nga ana e zyrës së Dervishajt dhe ka mospërputhje të toponimeve që ndodhen në përshkrimin që ju bëhet pronave në dokumentacionin e vjetër të pronësisë së familjes Jenisheri me toponimet që identifikohen në hartat topografike të viteve 1937, 1959 etj pas hedhjes në to të vendimeve të zyrës së kompensimit të pronave.
Konkretisht, pronat e kthyera me vendimin nr. 276 datë 10.09.2008 janë vendosur në zonën e Vilë-Bashtoves dhe jo në zonën e fshatit Greth, sic përshkruhet në dokumentacionin e vjetër hipotekor. Nga hedhja e kësaj prone, (prona e kthyer në Vile-Bashtove) në hartat topografike të viteve 1937, 1959 etj, shihet se kjo pronë ka si kufizim lindor toponimin “Vjeshtë e vogël” dhe “Hans” (që ne hartë identifikohet si brez moçalor). Këto toponime nuk jane në përshkrimin që i bëhet kësaj prone në dokumentin e vjetër hipotekor (vërtetimet e pronësisë nga dokumentat hipotekore 145/14, vol. 1938-41, datë 07.02.1939 që ndodhen në dosje). Ndaj edhe grupi i eksperteve mendon se pozicionimi hartografik i pronave të kthyera nuk është bërë i sakte nga Zyra Rajonale e Kthimit dhe Kompensimit te Pronave Tiranë.
Në këtë mënyrë, shtetasi Bledar Dervishaj, ish drejtor i zyrës ka qënë në dijeni se po privatizohej një sipërfaqe ranishte me pronar shtetin dhe se kjo pasuri ndodhej jashtë dhe larg territorit në te cilin ndodhet pasuria e pretenduar nga familja Jenisheri. Për rrjedhojë regjistrimi hipotekor i kësaj prone është paraqitur nje ranishte e kthyer në pyll, duke e spostuar brezin ranor ne ujin e detit. Ky shtetas bashke me anetaret e tjerë të grupit si Dhimitër Papa, Merita Gjinali, Ali Aliaj dhe Altin Ceni janë shmangur nga deryra primare e identifikimit të përputhshmërisë të vendodhjes së pronës sipas dokumentave ligjore te vjetra dhe pozicionit aktual dhe kanë ndryshuar zërin kadastral të regjimit juridik e fizik të tokës. “Për sa më sipër, Gjykata çmon se plotësohen kushtet dhe kriteret për caktimin e masave të sigurimit personal, pasi ekziston dyshimi i arsyeshëm dhe i mbështetur në prova se shtetasi Bledar Dervishaj ka kryer veprën penale për të cilën dyshohet, ekziston shkaku që i hetuari për shkak të rrethanave të faktit të kryeje krime të tjera të të njejtit lloj, si dhe ekziston rreziku i largimit të tij për t’ju fshehur hetimit dhe gjykimit të çështjes. Për këto arsye, masa e sigurimit më e përshtatshme me nevojat e sigurimit është ajo e arrestit me burg”, shkruhet në vendimin e gjykatës për këshilltarin e Metës. TEMA/