Drejtori i Urgjencës Kombëtare doktori, Skënder Brataj duke sqaruar situatën për koronavirusin, tha se nuk ka vend për panik dhe se duhet pasur parasysh se 98 % e rasteve të infektuara shërohen, i mbijetojnë atij. Doktor Brataj tha në “Report tv” se trajtimi i koronavirusit është simptomatik në bazë të shenjave që shfaq pacienti dhe nuk ka kurë të posaçme.
Ai tha se pavarësisht alarmit të madh, koronavirusi nuk është më i dëmshëm se gripi, por thjeshtë një formë e re e tij, pak më agresiv.
“Koronavirusi nuk është më i dëmshëm se sa grip, por është një formë e re e tij që doli këtë vit dhe pak më agresiv se gripi. Koronavirusi nuk është më vdekjeprurës se sa SARSI apo MERS në Lindjen e Mesme, që morën gjithashtu shumë jetë. vetë gripi ka përqindje më të lartë vdekje se Koronavirusi. Duhet theksuar se 98 % me koronarvirus shërohen, mbijetojnë. Në Kinë kemi 2500 të vdekur dhe 23 mijë të shëruar, prandaj nuk ka vend për panik. Trajtimi është simptomatik çfarë shenjash ke ajo kurohet. Nuk ka një kurë të posaçme. Pra nuk ka një mjekim tipik por mjekim simptomatik, si temperaturën apo dhimbje që shfaq”, tha Brataj.
Në lidhje me analizat që bëhen për koronavirusin, Brataj tha se ato janë plotësisht të sakta dhe se Shqipëria i ka të gjitha kapacitetet për të përballuar çdo emergjencë të mundshme. Ai bëri sërish thirrje që njerëzit dhe të tregojnë një higjienë të mirë në mënyrë që të parandalojnë sa më shumë përhapjen e tij dhe të vetizolohen nëse dyshojnë se janë infektuar.
“Analiza e kotonavirusit dhe mjete që kanë janë tipike për këtë virus dhe janë të sakta, është e pamundur që të bëhet analiza dhe të dali negative nëse e ke. Virusi do kohë të zhvillohet dhe për këtë arsye pacientët lihen në karantine për 14 ditë, koha që duhet virusit për tu shfaqur plotësisht. Në ditët e para mund të jesh bartës i koronavirusit dhe më pas fillon shkatërron qelizën. Ne i kemi të gjitha kapacitete si me mjete ashtu dhe gati karantinën, që do trajtohet si strukturë spitalore. Nuk ka rëndësi se në cilin qytet ndodhet karantina, ajo mund të bëhet edhe brenda një strukturë spitalore pa rrezikuar pacientët e tjerë. Në lidhje me kapacitetet e saj, ka disa struktura që janë gati për çdo rast”, tha Brataj.