Presidenti i federatës shqiptare të futbollit Armando Duka në një intervistë për revistën ekonomike ‘Forbes’ në versionin italisht ka folur për shumë tema duke filluar nga stadiumi ‘Air Albania’ i inauguruar në muajin nëntor. Duka ka treguar se si nisi ideja dhe projekti, ndërsa shprehet se është shumë i lumtur që federata ka në dispozicion një impiant të tillë modern për të cilin ka inevstuar vetëm 10 mlnn euro.

Në intervistën për ‘Forbes’ Duka konfirmoi Reja-n si trajnerin e ardhshëm, duke deklaruar se është i mahnitur pas trajnerëve italian. Më tej numri 1 i federatës zbuloi edhe një detaj interesant për sensibilizimin e audiencës në UEFA për termetin në Shqiëpri që i mori jetën 51 personave.

Duka: “Programi i Federatës Shqiptare synon mbledhjen e fondeve që deri në këtë moment kanë tejkaluar shifrën e 400 mijë euorve. Qëllimi është ndërtimi i disa shtëpive. Kemi ngritur një komision i cili ka për detyrë të verifikojë rastet më urgjente për ndërtimin e shtëpive dhe ndihmë ekonomike për personat që humbën të afërmit. Ne duam të ndërtojmë të paktën pesë shtëpi.”
Duka për ‘Forbes’ tregoi se tani FSHF është një institucion shumë i organizuar falë ndihmës së UEFA-s dhe FIFA-s. Përsa i përket objetivave për të ardhmen numri 1 i FSHF-së u shpreh se së bashku me qeverinë qëllimi është që të ndërtohen 100 qendra stërvitore në të gjithë Shqipërinë, pasi numri i fëmijëve që meren me futboll është rritur.