Është vetëm 19 vjeç, por për të po flitet pafundësisht në Evropë. Ai ka luajtur 30 ndeshje këtë sezon, ka shënuar 40 gola dhe ka dhënë 8 asistime. Është thjesht një “bishë”.
Erling Haaland nisi të jetë lajm ndërkombëtar kur në Kupën e Botës U-20, në “Poloni 2019”, i shënoi 9 gola portierit Jose Garcia të Hondurasit.
Një shifër e tepruar, që mund të lidhej më shumë me futbollin amator, ndaj nuk u konsiderua lajm i rëndësishëm.
Ky djalosh i jashtëzakonshëm norvegjez brenda një kohe të shkurtër u katapultua nga FK Bryne i divizionit të tretë, te Molde, Red Bull Salzburg e së fundmi te Borussia e Dortmundit.
Halaand është shndërruar një makineri golash në Bundesligë dhe në Champions.
Të mëdhatë e Evropës nuk guxuan në asnjë moment, gjashtë muaj më parë, të investonin tek ky talent, siç bëri Borussia Dortmund në janar: 20 milionë euro për Salzburgun dhe komisione të shtrenjta për menaxherin Mino Raiola (15 milionë euro) dhe babanë e sulmuesit të ri (8-10 milionë euro).
Nëse dikush dëshiron ta blejë Halaandin në vitin 2022, mund ta bëjë nëse paguan 75 milionë euro.
Kjo është klauzola “e zgjuar” që Raiola ka përfshirë në kontratë me Dortmundin.
Borussia është i njëjti ekip që nënshkroi me Ousmane Dembele për 15 milionë dhe vitin tjetër ia shiti Barçës për 120 milionë.
Në vitin 2014 solli nga Shtetet e Bashkuara Christian Pulisic dhe vitin e kaluar e transferoi te Chelsea për 64 milionë euro.
I njëjti Dortmund pikasi një djalë nga Gaboni te Saint Etienne në vitin 2013 (Pierre-Emerick Aubameyang), e bleu për 13 milionë dhe pesë vjet më vonë e shiti tek Arsenali 63 milionë euro.
Haaland është vëzhguar edhe nga Barcelona, që prej disa sezonesh është vënë në kërkim të një numri 9, si pasues të Luis Suarezit.
Është ndjekur plot 15 herë nga skautët e Barcelonës, por vlerësimet e tyre ishin të tilla që nuk e bindën kupolën drejtuese të “blaugranave” për të investuar tek ai.
Në raportet e teknikëve të Barçës theksohej aftësia shënuese e Halaand, por djaloshi norvegjez “ngelte në klasë” për cilësitë teknike dhe pjesëmarrjen e tij në lojën kombinative, që te klubi “blaugrana”, shpikës i tiki-takas, ishin parësore.
Pra, përtej faktit që spikaste si golashënues, Halaand u hodh poshtë si alternativë, sepse nuk përshtatej me filozofinë e Barcelonës, ose më saktë me lojën në grup.
Halaand po tregon tashmë se ishte një vendim i gabuar. Teknikët e kampionëve të Spanjës tashmë duhet ta kenë kuptuar (janë të sigurt) që “bisha” e Dotmundit është pikërisht ai që ende po e kërkojnë dëshpërimisht. Gola dhe potencial “kafshëror”, por nuk kaloi testin e “ADN-së”.