Përveç zhvillimit pozitiv që parashikohet të sjellë për zonën rurale të Elbasanit dhe banorët e saj, aksi i ri Kuqan-Bujqës-Jagodinë-Murriqan-Thanë pritet t’i shërbejë së tepërmi edhe zhvillimit bujqësor.
Gjatë inspektimit të ketij segmenti rrugor në ndërtim, në një bashkëbisedim me kryeministrin Rama dhe banorët numri dy i PS-së, Taulant Balla u shpreh tepër pozitiv për të mirat që do të sjellë ky aks për fermerët e zonës në dyfishimin e prodhimit dhe eksportit. Ndërsa kryeministri Rama kërkoi punime cilesore dhe me standarde.
Rama inspektoi edhe punimet ne aksin, Grekan-Shelgu-Gjyrale, pjesë e unazës së Dumresë, që lidh Belshin me Cërrikun. Ai tha se ky aks rrugor do të sjellë zhvillim bujqësor e rural në një zonë që nga një gropë e zezë po kthehet në një hapësirë turistike dhe agroturistike.
Përmirësimi i infrastrukturës pritet të ndikojë pozitivisht në zhvillimin e ekonomisë bujqësore, si dhe aksesin në shërbimet bazë, favorizuar dhe nga fakti se shtrihet në një zonë me densitet të lartë të biznesit dhe prodhimit bujqësor e agropërpunues.