Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, priti sot delegacionin e Komisionit të Venecias, i cili ndodhet në Shqipëri për të diskutuar mbi kërkesën e Kuvendit mbi ligjshmërinë e veprimeve dhe procedurës të ndjekur nga Presidenti i Republikës në kuadër të emërimit të gjyqtarëve kushtetues. Kryetari i Kuvendit falënderoi anëtarët e delegacionit mbi vullnetin dhe gatishmërinë e Komisionit të Venecias për të bashkëpunuar me Kuvendin e Shqipërisë dhe institucionet shqiptare dhe dhënë opinione mbi zhvillimet politike, kushtetuese dhe ligjore në vend.

“Kërkesat tona kanë qenë disi të shumta e të shpeshta, por Komisioni i Venecias iu është përgjigjur atyre me shpejtësi e cilësi të lartë dhe këto opinione janë konsideruar dhe inkorporuar në legjislacionin shqiptar”, tha Ruçi. Në përgjigje të interesimit të anëtarëve të delegacionit, Kryetari i Kuvendit iu përgjigj pyetjeve të tyre lidhur me ngritjen dhe bërjen funksionale të organeve të reja të qeverisjes së sistemit të drejtësisë, Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë dhe organeve të tjera, si edhe pyetjeve konkrete mbi procedurat e ndjekura nga Presidenti i Republikës dhe Kuvendi gjatë procesit të emërimit të gjyqtarëve kushtetues.