Urim Shehu një emigrant shqiptar që jeton prej vitesh në Piacenza të Italisë është kthyer në Kukës prej ditës së diel. Shehu ka treguar për “Report Tv” se jeta në Itali vijon normalisht dhe njerëzit shkojnë në punë. Ndërsa shkollat e kanë ndërprerë mësimin.
Kur ka ardhur në Rinas, Urimi thotë se i kanë matur temperaturën por ka rezultuar pa probleme. “Atje jeta është krejt normale. Nuk kishte ndonjë gjë alarmante. Mediat e bëjnë më shumë të madhe. Unë kam ardhur me makinë private deri në Bologna. Pastaj me avion deri në Rinas. Atje më kanë matur temperaturën” Urimi tregon se nga supermarketet janë hequr të gjitha perimet dhe produktet e tjera të paambalazhuara të cilat preken me duar nga klientët.
“Të gjithë kanë frikë por më shumë ka panik. Pardje ditën e diel paradite kanë filluar të heqin frutat, mishin këto që preken me dorë nga supermarketet. Por jeta vazhdon normalisht, puna normalisht. Shkollat janë bllokuar dhe deri në 20 mars janë mbyllur”, tregon Urimi. Burimi: shqiptarja.com