Nga Skënder Minxhozi
Kur shpërtheu SARS, 17 vjet të shkuara, rrjetet sociale nuk egzistonin. Kishte telefona celularë, kishte internet, por nuk kishte demokraci verbale të turmës si sot. Informacioni ishte pronë e mediave, ku rëndom ndodhin shumë gjëra të këqia, por ku bëhet gjithashtu edhe gazetari e vërtetë nga profesionistë të lajmit. Skenari i sotëm që ka gjetur shpërthimi i virusit të rradhës, coronavirusit kinez, është krejt i ndryshëm. Sapo i dalin analizat një australiani të infektuar, gjendja e tij nuk është problemi i familjes, lagjes apo qytetit ku ai jeton. Jo! Është një lajm planetar.
E marrin vesh edhe në Pogradec e Kukës, që një australian ju shtua listës së të sëmurëve me coronavirus! Sot ka faqe të cilat rrinë e numërojnë në kohë reale rastet e reja, moshat e tyre, vendndodhjen, pacientët në gjendje kritike dhe viktimat. Një garë botërore për të tmerruar njerëzit, e cila në mënyrë të pashmangshme krijon një realitet të rrejshëm dhe dukshëm të fryrë në lidhje me coronavirusin.
Organizata Botërore e Shëndetësisë deklaronte dje se 95% e pacientëve e kalojnë pa asnjë problem virozën më të re që ka goditur botën. Deklaronte gjithashtu se vdekshmëria brenda Kinës është të paktën tre herë më e madhe, deri tani, në krahasim më vdekjet jashtë territorit kinez. Megjithatë tam-tami mediatik botëror nuk ndalet, e për këtë po kontribuon jo vetëm zhurma në mediat klasike, gazeta, televizione e faqe online, por kryesisht rrjetet e shumta sociale. Të cilat sjellin lloj-lloj informacionesh, thashethemesh, fjalësh të vërteta, por më shumë të rreme.
Italia është vendi evropian më i goditur nga coronavirus. Aty ka deri tani 11 të vdekur dhe mbi 350 të infektuar. E megjithatë, nëse sheh statistikat zyrtare, çdo vit në vendin fqinj vdesin 300-400 persona si pasojë direkte e gripit të zakonshëm sezonal, numër ky që shkon në 4-10 mijë vdekje, nëse merren parasysh komplikacionet që gripi shkakton në sëmundje të tjera tek të sëmurët. E njëjta situatë me gripin normal është në të gjithë botën. Çdo dimër prodhon mijëra vdekje nga gripi, por askush nuk shqetësohet në përmasat e asaj që po shohim tani me virozën e fundit.
Coronavirus është një lajm planetar. Kjo tregon seriozitetin e një situate të krijuar nga një virus i panjohur dhe që nuk ka momentalisht as medikamente dhe as vaksina që ta luftojnë. Megjithatë, përtej kërcënimit real të infeksionit, qeveritë dhe organizatat më të mëdha të shëndetit në botë, po shqetësohen për mbi-reagimin dhe panikun që po shkakton kjo sëmundje në të katër anët e planetit.
Kryqëzimi i Covid-2019, me “viruset” Facebook, Twitter, Instagram etj, qenka vërtetë një sfidë globale, shumë më serioze sesa vetë sëmundja. Sepse corona është kthyer në një infodemi, para se të ishte epidemi dhe para se të bëhet pandemi. Jemi të infektuar me lajme, shumë më tepër sesa me virus. Dhe për këtë të fundit ka masa mbrojtëse. Të parave si i bëhet?!