Ministri Fuqiplotë i Emergjencës për tërmetin e 26 nëntorit, Bledi Cuci i ftuar në emisionin “Real Story” në “News 24” deklaroi se fatura e tërmetit është mbyllur në një kohë rekord. Çuçi tha se raporti është përpiluar në mënyrë të saktë nga më shumë se 60 ekspertë nga e mbarë bota.
“Sot publikuam raportin që quhet “i vjen era”, pra është një lloj raporti që bëhet zakonsisht në të gjitha vendet e prekura nga fatkeqësitë natyrore. Raporti është bërë sipas parametrave europiane e botërore. Unë si ministër përgjegjës për menaxhimin e krizës, e kërkova sa më shpejt. Takova përfaqësues të organizatave dhe kërkova llogarinë e dëmit sipas metodologjisë më të përdorur sot në botë. Kemi pasur 60 ekspertë, nga mbarë bota dhe në kohë rekord kemi raportin për vlerësimin e dëmeve në një kohë rekord, që është dokumenti më i rëndësishëm i Konferencës së Donatorëve, që mbahet më datë 17 në Bruksel. Prandaj punuam fort që ta mbyllim sa më shpejt”, tha Çuçi.
Bledi Çuçi më tej tregoi edhe detaje nga raporti, duke thënë edhe se pjesën më të madhe të faturës e përbëjnë banesat e shkatërruara. “Kemi dy raporte, raportin A dhe raportin B. Pjesa më e madhe e faturës janë ndërtimet e banesave private, pastaj jaën turizmi, arsimi, është infrastruktura etj. Mendoj se është një shumë goxha e madhe, por duke e menduar se kam jetuar përditë me pasojat e këtij tërmeti dhe këtu përfshihet cdo gjë. Prandaj, fatura është e madhe sepse përfshihet patjetër gjithçka. Kemi verifikuar 100 përqind të banesave të prekura. Kemi parashikuar dëmet dhe humbjet”, deklaroi Çuçi.