985 milionë euro është fatura e dëmeve nga tërmeti i 26 nëntorit. Ministri Fuqiplotë, Bledi Çuçi, zbuloi shifrën e dëmeve paraditen e sotme. Të pranishëm ishin ambasadori BE në Shqipëri, Luigi Soreca, si dhe koordinatori i Përhershëm i OKB në Shqipëri, Brian J. Williams. Më 17 shkurt në Bruksel do të zhvillohet konferenca e donatorëve e organizuar nga Komisioni Europian për Shqipërinë pas tërmetit tragjik të 26 nëntorit.
Koordinatori i Përhershëm i OKB në Shqipëri, Brian J. Williams kërkoi nga qeveria shqiptare dhe bashkitë që të jenë të përgatitura për rastet e fatkeqësive natyrore.
“Është e rëndësishme që të ndërtohet më mirë, të shikohet se cilat janë objektivat që kur të bëhet rindërtimi të jetë mobilizimi i duhur. Të merren parasysh edhe cështjet mjedisore, por edhe që cështjet gjinore. Mos harrojmë që në qendër të jenë njerëzit komunitetet. Agjencitë dhe aktet nënligjore duhet të jenë ekzistuese. Ulja e rrezikut nga fatkeqësitë kërkon që të gjitha agjencitë të bashkëpunojnë, ministritë e linjës, që të mendojnë një rezervë, të jenë të përgatitur. Por edhe zyrat e qeverisjes vendore duhet të kenë burimet e tyre”, tha ai.
Ndërkaq, drejtoresha e Komanduar e Bankës Botërore në Shqipëri, Evis Sulko, u shpreh se efekti i tërmetit është sa 7.5% e Prodhimit të Brendshëm Bruto.
“Efekt i tërmetit të 26 nëntorit 7.5% të PBB. Ritmi i rritjes ekonomike në fund të vitit të kaluar është ulur, kjo trajektore është parashikuar edhe për këtë vit, rritja 3.2% nga 3.5% që ishte parashikimi. Pasuritë e paluajtshme dhe turizmi janë goditur më shumë. Procesi i rindërtimit pritet të sjellë rritje më të shpejtë të sektorit të ndërtimit”, tha ajo.