Menaxhimi i krizave nëpërmjet ekspertizës më të mirë franceze si dhe forcimi i bashkëpunimit nëpërmjet trajnimeve e certifikimeve për personelin e emergjencave civile, ishte në fokus të takimit të zhvilluar mes grupit të miqësisë franko-shqiptar dhe drejtuesve të Autoritetit Portual të Durrësit.

Dy deputete të Asamblesë Kombëtare të Francës, Mireille Clapot dhe Valérie Thomas, ambasadorja e Francës në vendin tonë, Christina Vasak, si dhe përfaqësues të “Aides Actions Internationales Pompiers”, gjatë takimit të zhvilluar në APD, u njohën me kapacitetet e portit të Durrësit, si dhe ndikimin e tij të rëndësishëm për qytetin dhe vendin tonë.

Kreu i APD-së Pirro Vengu, i njohu të pranishmit me kapacitetet e Portit, ndërsa falenderoi për kontributin e dhënë nga qeveria franceze në situatën e krijuar në disa zona të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit të kaluar në Shqipëri. Gjatë diskutimit mes të pranishmëve u panë mundësitë e bashkëpunimit mes dy vendeve, duke shfrytëzuar eksperiencën franceze në këtë drejtim. “Aides Actions Internationales Pompiers” kanë një përvojë të gjatë në ndihmën dhe kontributin në disa vende të prekura nga tërmeti.
Pas takimit delegacioni zhvilloi një vizitë dhe në kalatat portuale të Portit detar.