Autoritetet kineze kanë pranuar mbërritjen e ekspertëve shëndetësorë nga Shtetet e Bashkuara, si pjesë e përpjekjeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë për luftimin e përhapjes së mëtejshme të koronavirusit, në kohën kur numri i personave të vdekur dhe të infektuar po vazhdon të rritet. Shtëpia e Bardhë tha të hënën se Kina nuk e ka pranuar ofertën për dërgimin e ekspertëve amerikanë si pjesë e misionit të OBSh-së. Sidoqoftë, duket se qeveria kineze e ka ndryshuar mendjen më vonë.
Javën e shkuar, Organizata Botërore e Shëndetësisë e shpalli gjendjen emergjente globale për shkak të përhapjes së koronavirusit në 24 shtete. Përpos Kinës, viktima tashmë janë shënuar edhe në Filipine dhe Hong Kong. Shumë kompani të fluturimeve i kanë ndërprerë fluturimet drejt disa pjesëve të Kinës, të cilat janë goditur më shumë nga virusi i rrezikshëm, shkruan “Reuters”. Kina më herët akuzoi Shtetet e Bashkuara për përhapje të frikës dhe panikut në lidhje me virusin, në vend të ofrimit të asistencës. Më shumë se 420 njerëz kanë vdekur dhe rreth 20 mijë të tjerë janë infektuar deri më tash, ndërsa ekspertët shëndetësorë kanë paralajmëruar se këto shifra do të rriten edhe më shumë.