Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Grida Duma ishte e ftuar këtë pasdite në programin “Rudina” në Tv Klan. Ajo është njëkohësisht pedagoge në universitet dhe ka spikatur që në fillimet e saj si një grua e fortë.

Të shumtë janë ata që e shohin atë si gruan e plotësuar dhe të ndërtuar totalisht. Duma tregoi se kur ishte 18 vjeç, mësonte për violinë dhe piano sekondare, por që sot e urren sepse e studionte me dhunë disipline nga e ëma.

“Plotësisht jashtë kornizave. Kisha dalë nga liceu edhe studioja violinë dhe piano sekondare, që sot e urrej sepse kur e studioja, e studioja me dhunë disipline nga ime më. Po të më thuash mua sot violinë, e kam tmerr. Ishte një grua, që donte patjetër suksesin maksimal. Kjo është një gjë që ne mund ta diskutonim shumë gjatë. Kur do maksimumin tek fëmija nuk është e nevojshme gjithmonë, që ta arrish këtë me forcë, duhet arritur edhe me motivim pozitiv. Në kuptim që jo gjithmonë, jo nuk e ke bërë mirë, shpesh duhet të jetë e ke bërë shkëlqyer, ia del edhe kur se ka bërë shkëlqyer, pavarësisht se kjo mua më vlejti edhe për gjëra të tjera”.

Më tej, ajo shtoi se babai i saj i ka dhënë një liri individuale. Madje që në gjimnaz, babai i ka blerë një motor dhe gjithashtu për në shkollë ka patur edhe një qen stani që e shoqëronte.

“Nuk kisha asnjë lidhje me gocat që rrinin me gocat. Nuk bëja asgjë nga ato që bëheshin dukshëm, nuk bëja atë xhiron e pasdites që bëhej gjithmonë me mamin tek bulevardi. Me fatin e madh kam një baba, që ndryshe nga tradicionalja le të themi kështu, pavarësisht se sa tradicional është, e ngjizi fort tek unë lirinë individuale. Domethënë mjetet që përdori ishin që më bleu një vespa në atë kohë, një motor. Dhe unë gjatë gjithë kohës së gjimnazit kam shkuar ashtu në shkollë dhe bëja çudinë në një farë mënyre. Kam patur një qen stani të madh, edhe ai më shoqëronte. Domethënë ishin dy simbolika që dukej sikur ishte një gjë e vogël, por në atë kohë edhe një palë xhinse ndryshonin sjelljen”, tha Duma në “Klan”.