“Shqipëria ndodhet në intensitet shumë të lartë të gripit dhe strukturat shëndetësore janë në gatishmëri, me barna dhe materiale mjekësore për të përballuar situatën”. Në Komisionin e Shëndetësisë në Kuvend, ministrja Manastirliu deklaroi se Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka marrë një seri masash për t’i paraprirë viruseve stinore. “Kemi kryer në kohë vaksinim për rreth 80.000 qytetarë, kryesisht të sëmurë kronikë, gratë shtatzëna, fëmijët 2-5 vjeç, personelin shëndetësor”, tha Manastirliu.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i ka paraprirë situatës në të cilën jemi, ku fluksi është shumë i lartë, duke hapur 4 qendra shëndetësore 24 orëshe në Tiranë, në Kombinat, Laprakë, në zonën e ish-Bllokut dhe zonën e Oxhakut, për të shfryrë fluksin në Urgjencën Pediatrike të QSUT në mënyrë që qytetarët të mos presin në rradhë të gjata, po ta marrin shërbimin afër vendbanimit, në kohë dhe me cilësi.

“Shërbimi ofrohet 24/7 në katër qendra shëndetësore në Tiranë dhe janë 218 mjekë dhe infermierë që ofrojnë shërbim pa ndërprerje në katër pika të ndryshme të Tiranës, ndërsa në pediatrinë e Tiranës kemi dyfishuar personelin mjekësor në fundjavë”, tha Manastirliu.

Nga të dhënat e raportimit të Institutit të Shëndetit Publik, sipas survejancës së infeksioneve akute respiratore të sipërme dhe të poshtme të sistemit ALERT, jemi në pikun e viruseve stinore, ku në javën e 5 të vitit vërehet se prirja e infeksioneve respiratore paraqet me 23% rritje, pra intensitet shumë të lartë dhe me përhapje në të gjithë vendin në krahasim me javën paraardhëse.

Manastirliu ka raportuar në Kuvend dhe për situatën e koronavirusit të ri, duke theksuar se në Shqipëri nuk kemi asnjë rast të prekur, por gjithsesi janë marrë masat e nevojshme, bazuar në rekomandimet dhe protokollet e shëndetit të OBSH-së, duke shtuar se Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka përfshirë dhe spitalet jo-publike për pritjen dhe transportin sipas standardeve, të rasteve të mundshme me koronavirusin e ri.