Debatet në komisione brenda vetë mazhorancës, ku ka pikasur më tepër deputeti Bashkim Fino, por së fundmi edhe Fatmir Xhafaj, për kryetaren e Komisionit të Sigurisë Ermonela Felaj janë tregues që brenda PS-së nuk ka “ushtarë të bindur”. E ftuar në studion e Report Tv në emisionin “45 minuta” të gazetarit Denis Minga, Felaj mohon të ketë “përçarje” brenda socialistëve, por vetëm debat të cilin e quan se nis nga vullneti i mirë për marrjen e vendimeve të drejta.
“Faktin që ne në grupimin tonë nuk jemi ushtarë. I kemi respektuar bindjen e gjithsecilit, profesionalizmit për të mos thënë që shpesh këto backgrounde kanë shërbyer edhe si pjesa që ka siguruar udhëheqjen ose drejtimin për marrjen e vendimeve të caktuara. Një gjë pozitive, debati na bën veçse mirë. Nëse ka debat po bëhet më e mira në tekstin e dispozitës ligjore që po diskutohet apo miratohet. Debat i nisur nga vullnet i mirë. Grupime e brenda PS nuk ka, kush do që ka dashur një grupim nuk është pjesë e PS-së. Këto i kemi të shprehura si pjesë e statutit të PS-së”, tha Felaj në Report Tv. Duke u ndalur tek miratimi i ligjit që shmang presidentit Ilir Meta për betimin e gjyqtarëve, Felaj tha se kjo është bërë që palët politike të mos ndikojnë në organet e drejtësisë dhe mbi të gjitha që të mos abuzohet me afatet e betimi, siç ka ndodhur deri më tani.
“Moment i cili kur u diskutua dhe u bë Reforma ka qenë kryefjalë. Ishin bllokuar situata të tëra në gjyqësor. Kandidaturat kanë qëndruar me vite të tjera në Kuvend. Kjo ka qenë nevoja për të bërë Reformën në Drejtësinë, evitimi i mekanizmave zhbllokues. Që palët të mos ndikojnë organet e reja të drejtësisë. Nuk po hiqet betimi si pjese e ceremoniali, por afatet që të bëhet betimi që të mos abuzohet me kohën. Më vjen mirë që mazhoranca nuk i ka dhënë fuqi prapavepruese këtij momenti.
Pa i hequr presidentit për të organizuar ceremonialin, por duke vendosur një kohë të mjaftueshme për ta organizuar”, përfundoi Felaj.