Guardiola: Real Madridi është mbret i Ligës së Kampionëve Trajneri i Manchester City, Pep Guardiola, e ka lartësuar Real Madridin duke e quajtur mbret të Ligës së Kampionëve, para duelit të mesjavës mes skuadrës së tij dhe 13 herë kampionit evropian.City e viziton Santiago Bernabeun për ndeshjen e parë me Realin në 1/8 e finales në Ligën e Kampionëve të mërkurën, i vetëdijshëm se ende nuk e ka mposhtur asnjëherë gjigantin spanjoll në katër tentime deri tani në garën evropiane.
Guardiola ka shumë përvojë në përballje me Realin nga koha e tij si lojtar dhe më pas si trajner i rivalit të përbetuar, Barcelonës, prandaj ai është në dijeni për detyrën e madhe që e pret Cityn. “Kam luajtur shumë herë ndaj këtij klubi si lojtar dhe si trajner dhe gjithmonë e kam admiruar shumë historinë e këtij klubi”, tha Guardiola. “E di sa e vështirë është të përballesh me cilësinë e këtyre lojtarëve. Nuk e di sa shumë finale i kanë luajtur ata apo sa herë e kanë fituar trofeun”, shtoi ai.“Do të përpiqemi ta bëjmë më të mirën, duke e ditur se luajmë kundër mbretit të kësaj gare”, theksoi ai.