Pep Guardiola beson se Barcelona është para një periudhë të ligësht, e ngjashme me atë të Real Madridit, kur u largua Cristiano Ronaldo. Krahasimi është i qartë, ka parasysh momentin kur Lionel Messi do të largohet përfundimisht nga “Camp Nou”. Një përplasje publike me Eric Abidal i ka shtuar zërat për thyerje të marrëdhënieve mes Messit dhe klubit Blaugrana. “Los Blancos” e dinë mirë tashmë se si është të humbasësh një idhull, sepse mbyllën një sezon duarbosh (2018-2019), pas transferimit të Ronaldos te Juventusi, pasi kishin fituar tre Champions radhazi.
Dhe Pep, i cili e njeh më së miri Messin dhe Barcelonën, paralajmëroi ish-punëdhënësit e tij se duhet ta përgatisin veten për largimin e mundshëm të superyllit: “Është e pashmangshme, këta lojtarë janë kaq të rëndësishëm për një skuadër, sa kur largohen, lënë boshllëqe të mëdha. Kur Messi të largohet nga Barcelona, klubit do t’i duhet ca kohë për t’u rirregulluar. Është e pashmangshme. Ju e patë se çfarë ndikimi negativ pati largimi i Ronaldos nga Real Madridi. Si të mos ndihet mungesa e këtyre lojtarëve, që shënojnë 40, ose 50 gola në sezon”. Guardiola kaloi më shumë se 20 vite te Barcelona, si trajner dhe lojtar, një lidhje që përfundoi në vitin 2012, me dorëheqjen e tij nga pankina: “Kur njerëzit më pyesin për titullin që kam fituar, i cili më bën më të ngazëllyer, në karrierën time si trajner, unë përmend të parin me Barcelonën. E kam fjalën për fitimin e La Liga-s”.