Borussia Dortmund ka marrë një fitore 0-2 me mjaft vlera pasditen e sotme në transfertën ndaj Ëerder Bremen, që vijon të zhytet çdo javë e më shumë në fundin e tabelës. Verdhezinjtë iu falën edhe një herë tjetër djaloshit të artë, Haaland, i cili shënoi golin e dytë të sfidës.
Pjesa e parë e ndeshjes ishte disi e ekuilibruar dhe u mbyll me rrjeta të paprekura, ndërsa fraksioni i dytë nisi me një Dortmund më kërkues. Ishin pikërisht verdhezinjtë që gjetën golin e avantazhit në minutën e 52’ me anë të Zagadou, i cili shënoi pas një goditje nga këndi.

Pavarësisht avantazhit, miqtë nuk e ulën ritmin dhe gjetën edhe golin e dytë që hipotekoi fitoren me anë të Haaland. Norvegjezi shënoi pas një pasimi të Hakimit. Pikërisht ky gol e fut në histori sulmuesin, pasi shndërrohet në të parin lojtar në historinë e Bundesligës që shënon 9 gola në 6 ndeshjet e tij të para.

Kështu, Dortmund triumfon dhe ngjitet përkohësisht në vendin e dytë me 45 pikë, katër më pak se Bayern. Werder zhytet në vendin e parafundit me vetëm 17 pikë. Në sfidat e tjera, Gladbach bëri vetëvrasje në fund ndaj Hoffenheim, pasi u ndëshkua në minutën e 92-të, me ndeshjen që përfundoi 1-1. Vlen për t’u përmendur që vendasit humbën 11-metërsh me Plea në minutën e 75-të, ku mund të kishin hipotekuar fitoren. Hertha duket pa identitet, teksa u shkërmoq në shtëpi 0-5 nga Koln, ndërsa Dusseldorf befasoi në shtëpi Freiburgun 0-2.