Parkut Kombëtar Lugina e Valbonës tashmë do t’i shtohet një hotel me 5 yje ku turistët e huaj dhe vendas do kenë mundësinë të shijojnë peizazhin dhe bukuritë e këtij parku duke pushuar në një vend me standarde bashkëkohore. I pozicionuar mes bukurive të Alpeve ky hotel ofron një kapacitet me 90 dhoma duke i ofruar turistëve shërbime me standarte europiane dhe zonës një zhvillim ekonomik dhe mundësi më të mëdha punësimi.
Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi pa nga afër fillimin e punimeve të hotelit me 5 yje i cili do i ofrojë vizitorëve gjithë komoditetin për të qëndruar më shumë se një ditë në Luginën e Valbonës dhe për të eksploruar bukuritë dhe shijuar turizmin e bardhë. “Energjia e një ekonomie të re. Lugina e Valbonës së shpejti me një hotel me 5 yje. Pozicionuar mes Alpeve, konceptuar me 90 dhoma, me shërbime bashkëkohore”, shprehet ministri Klosi. Parku Kombëtar Lugina e Valbonës ndodhet në Qarkun e Kukësit dhe në rrethin e Tropojës, 25-30 km në veriperëndim të qytetit Bajram Curri.