“I pashlyeshëm mbetet kujtimi i saj”. Kështu shkruan kryeministri Edi Rama për legjendën e muzikës shqiptare Nexhmijë Pagarusha. Në një status në “Facebook”, Rama shkruan se një zë i rrallë dhe një zonjë e rrallë nuk është më mes nesh. “Një zë i rrallë dhe një zonjë e rrallë, Nexhmije Pagarusha, nuk është më mes nesh, por brenda i pashlyeshëm mbetet kujtimi i saj. Prehu në paqe zonjë e madhe?”, shkruan Rama.
Ikona e muzikës dhe artit shqiptar u shua sot në moshën 86-vjeçare. Pagarusha do mbetet në mendjen e shqiptarëve si legjendë dhe emri i saj do të përcillet brez pas brezi. Veprimtaria e saj muzikore 40-vjeçare ishte aq e gjerë, sa që është vështirë të thuhet se cilit zhanër i takonte. Ishte e njohur për interpretimet e saj të shkëlqyera në muzikën popullore dhe opera.