Një i porsalindur kinez është diagnostikuar me koronavirusin e ri vetëm 30 orë pas lindjes, rasti më i ri i regjistruar deri më tani, thonë media shtetërore. Foshnja u lind më 2 shkurt në Wuhan, epiqendra e shpërthimit të virusit, transmeton KosovaPress. Nëna e foshnjës u testua pozitive me virus përpara se të lindte. Është e paqartë se si u transmetua sëmundja – në barkun e nënës, ose pas lindjes.

Si mund të ishte infektuar foshnja? Ekspertët mjekësorë thonë se mund të jetë një rast kur infeksioni ishte kontraktuar në barkun e nënës. “Kjo na kujton t’i kushtojmë vëmendje nënës-fëmijës si një rrugë e mundshme e transmetimit të koronavirusit,” tha për Reuters mjeku kryesor i Departamentit të mjekësisë neonatale në spitalin për fëmijë në Wuhan, Zeng Lingkong. Por është gjithashtu e mundur që foshnja u infektua pas lindjes nga kontakti i ngushtë me nënën.

A është e zakonshme që fëmijët të marrin virusin? Shumë pak fëmijë kanë testuar pozitiv në këtë shpërthim të kohëve të fundit, e cila është në përputhje me shpërthimet e tjera të koronavirusit në historinë e fundit, përfshirë Sars dhe Mers. Një raport nga Gazeta e Shoqatës Mjekësore Amerikane (JAMA) thotë se mosha mesatare e pacientëve për shpërthimin e tanishëm është midis 49 dhe 56-vjeç, duke shtuar se rastet te fëmijët “kanë qenë të rralla”. Në mënyrë të ngjashme, gjatë shpërthimit të Mers në vitin 2016, Gazeta Botërore e Pediatrisë Klinike tha që virusi ishte i rrallë te fëmijët, megjithëse shtoi se “arsyeja e [kësaj] përhapjeje të ulët nuk dihet”.

Një fëmijë gjashtë muajsh në Singapor dihet se është testuar pozitivisht për koronavirusin e ri, si dhe një 8-vjeçar nga Wuhan i cili aktualisht ndodhet në Australi. Virusi është përhapur jashtë shtetit, me 25 shtete që konfirmojnë gjithsej 191 raste, megjithëse deri më tani ka pasur vetëm dy vdekje jashtë Kinës. Koronavirusi shkakton infeksion të rëndë akut të frymëmarrjes dhe simptomat zakonisht fillojnë me ethe, e ndjekur nga një kollë e thatë. Aktualisht nuk ka kurë kundër koronavirusit.