Nga Alfred Peza/

Me parrullën e ballistëve të filmave të socrealizmit “Shqipëria e shqiptarëve” dhe me simbolet e “Aleancës Kuqezi” të Kreshnik Spahiut, Ilir Meta është nisur drejt “besëlidhjes” së tij të 2 marsit në Tiranë, me shpresën se do përsërisë në të njëjtën ditë pas 576 vjetësh, suksesin e Skënderbeut me Beslidhjen e Lezhës!

Presidenti i Republikës ka gjetur si sebep për këtë, “grushtin e shtetit” që sipas tij, “Kryeministri i Shqipërisë po i bëka Edi Ramës?!!!” Prapa kësaj broçkulle, siç mund të meret fare lehtë me mend, fshihet shkaku i vërtetë i gjithë tymnajës. Në fund, e gjitha çfarë pritet të ndodhë, është “grushti politik” që Ilir Meta synon ti japi Lulzim Bashës, në luftën e brendshme mes tyre për lidershipin e opozitës, pasi të shkarkohet si President i Republikës.

Pasi bëri gjithçka për të bllokuar ringritjen e Gjykatës Kushtetuese, kur e pa që mazhoranca e zhbllokoi situatën përmes procesit ligjvënës në Parlament në bashkërendim me SHBA e BE, Ilir Meta e kuptoi se shkarkimi i tij si President, tashmë duket i pashmangshëm. Heqja e pengesës së fundit, drejt ngritjes së të gjitha institucioneve të drejtësisë së re, nuk kishte si të mos kalonte përmes tentativës së Ilir Metës për tensionimin e situatës në vend.

Vitin e shkuar, ai bëri rolin e zjarrvënësit, përmes aktit të paprecedentë të çdekretimit të zgjedhjeve të 30 Qershorit. Këtë vit përmes bllokimit të Gjykatës Kushtetuese, për ta lënë vendin, pa një albitër të besueshëm në ndeshjen mes palëve. As në 2019 nuk i funksionoi dhe as tani në 2020, jo e jo. Ndaj, rikthimi në jetën aktive politike pas ikjes nga Presidenca, duket si rruga e vetme për Ilir Metën. E siç i ka hije fillimit të ri nga një veteran politik, në vend të partisë së tij të vjetër LSI, ka shenja se po përgatit krijimin e një partie të re. Me shpresën se shqiptarët, do ta marin edhe atë, për një lider të ri!

Rruga që po ndjek, simbolet që po përdor, figurat që po promovon, spotet që po realizon dhe retorika që po konsumon në diskursin e publik, të rikujtojnë rrugëtimin e ndjekur pak vite më parë nga Kreshnik Spahiu. Jo vetëm për shkak të simbolit të shqiponjës, të përdorur rast e pa rast nga Ilir Meta, si “Aleanca Kuqezi”. Jo vetëm për shkak të shfrytëzimit të përbashkët të imazhit të Lorik Canës. Por, edhe për shkak të parimit “me një gur vras dy zogj”, që Ilir Meta ka kohë që e përgatit.

Pjesë e këtij projekti, mund të shihet jo vetëm aleanca me Ramush Haradinajn, por edhe strategjia e mediave pranë tij, për ta paraqitur Edi Ramën si “armikun” më të madh të shqiptarëve në Ballkan. Si “tradhëtarin” më të madh të të gjitha kohërave. Si “Esat Pashain” e kohës sonë. Si “njeriun që do ndante kufijtë e Kosovës, për ti falur llokmat e majme mikut të tij më të madh Aleksandër Vuçiç”. Si “njeriu që po krijon Jugosllavinë e re”, e plot përralla të tjera si këto.

E, përkundër kësaj, shqiptarët të mos mërziten. Të mos tremben. Të mos tuten. Sepse këtij vendi ka kush ti dali Zot. Sa të keni Ilir Metën “nuk ka forcë në botë t’i kthejë shqiptarët 30 vite pas për të zbrazur Shqipërinë nga rinia jonë e mrekullueshme dhe për t’ia dorëzuar mafies ndërkombëtare të ardhmen e Atdheut tonë.” Sepse ai është e vetmja mburojë. E vetmja kështjellë e pamoshtur buzë Adriatikut që Edi Rama nuk e mer dot. Te ai do të gjeni të vetmen kala që nuk mund ta mari dot as Rilindja, as Sorosi, as shkjau, as greku, as turku e as talani. E jo më SHBA, BE dhe NATO!

Duke dashur që të imitojë fillimet e vrullshme të “Aleancës Kuqezi” të Kreshnik Spahiut dhe të përsërisë triumfin politik të Lëvizjes “Vetëvendosje” të Albin Kurtit, Ilir Meta duket se po bëhet gati për të nisur nga 2 marsi, rrugëtimin e tij të ri politik. Një rrugëtim, që ka përballë pamundësinë e tij për ta sfiduar Edi Ramën, për skeptrin e të majtës. Sepse pas reformës në drejtësi, pas marjes së 1.15 miliardë eurove nga Konferenca e Donatorëve për projektin e rindërtimit nga tërmeti dhe çeljen e pritshme të negociatave të anëtarësimit në BE, ai dhe PS po bëhen gati për fitoren e mandatit të tretë qeverisës.

E vetmja hapësirë për faktorizim të shpejtë, duket se Presidentit në ikje, i mbetet vetëm të sfidojë Lulzim Bashën për fronin e opozitarizmit në Shqipëri. Lulzim Basha po e kërkon fitoren, përmes rrugës së një lideri të reformuar, që tashmë “po na dëgjon”. Ndërsa Ilir Meta, përmes rrugës radikale, nacionaliste dhe shqiponjës së “Aleancës Kuqezi” të Kreshnik Spahiut. Ky skenar duket se është kuptuar tashmë nga Lulzim Basha dhe aleatët e tij të “Opozitës së Bashkuar” të cilët (me përjashtim të LSI) nuk kanë ende asnjë qëndrim në lidhje me “besëlidhjen” e Ilir Metës në Bulevard.

Ka me siguri një arësye të fortë edhe për këtë. Partinë Demokratike e lidhin shumë histori politike, përgjatë këtyre 30 viteve, me atë bulevard: Nga grushti i shtetit i 14 shtatorit, e deri tek çadra e Republikës së re të 2017. Nga 4 vrasjet e 21 janarit, e deri tek “revolucioni” i molotovëve të 30 qershorit. Një parti që kurrë nuk arriti të fitojë asgjë vetë përmes bulevardit, nuk duket e gatshme që tia shtrojë tapetin e kuq për këtë, Ilir Metës më 2 mars. Sepse ata që iu bënë xhelozë “Aleancës Kuqezi”, nuk kanë si të bien kaq kollaj në dashuri, me “Besëlidhjen e Presidencës”.