Beteja me korrupsionin kërkon bashkëpunim dhe koordinim mes shumë faktorëve që të rezultojë efektive. Ky mesazh u përcoll sot gjatë Konferencës për Integritetin organizuar nga Dhoma Ndërkombëtare e Tregtisë në Shqipëri. Ky ka qenë dhe aktiviteti më i rëndësishëm i Javës së Integritetit, e cila u zhvillua për herë të parë këtë vit në datat 3-11 shkurt 2020.

Java e Integritetit, është një nismë kombëtare ndërgjegjësuese e cila synon të ndërgjegjësojë dhe promovojë sjelljen etike, transparencën, llogaridhënien, përgjegjshmërinë dhe cdo përpjekje në kuadër të luftës kundër korrupsionit. Kjo nismë vjen si koncept holandez në Shqipëri nga ICC Albania (Dhoma Ndërkombëtare e Tregtisë për Shqipërinë) në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë dhe në bashkëpunim me Ambasadën Holandeze në Shqipëri dhe Delegacionin e Bashkimit Europian në Shqipëri.

Me tematikë “Të ndërtojmë një shoqëri me integritet për një zhvillim të qendrueshëm”, konferenca solli bashkë folës nga sektori publik, privat, nga organizata e shoqërisë civile, akademia dhe partner ndërkombëtarë. Diskutimet e paneleve dhe hapësirat e debatit akademik sollën në vëmendje një pasqyrë të plotë të sfidave më endemike me të cilat përballet sot shoqëria, kompania, akademia, rinia shqiptare dhe ajo rajonale e globale, por gjithashtu nuk munguan edhe rekomandimet për zgjidhje të mëtejshme për palë të ndryshme interesi.

Në fjalën hapëse Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj, në cilësinë edhe të Koordinatores Kombëtare kundër korrupsionit, duke folur për gjithë palët e përfshira në këtë proces ka thënë se: “disa gjëra na ndajnë, si veprimtaria e përditshme, sektori ku përkushtohemi, mënyra sesi kontribuojmë për shtetin e së drejtës, por më të mëdha janë ato që na bashkojnë: kërkimi i vazhdueshëm i përmirësimit të procesve, minimizimi i riskut, rritja e cilësisë së shërbimeve dhe i njëjti qëndrim që korrupsioni kushton shumë na bëri të gjithëve bashkë këtë Javë.”

“Dhoma Ndërkombëtare e Tregtisë Shqipëri ka marrë angazhim për të kultivuar tiparin moral të integritetit në kulturën e biznesit shqiptar dhe shoqërisë në tërësi, si kusht i domosdoshëm për zhvillim ekonomik e shoqëror të qëndrueshëm”, tha në fjalën e tij Kryetari i Bordit Ekzekutiv të ICC Albania Z. Ilir Daci.

Ndërsa Ambasadorja e Holandës në vendin tonë, Sh.S.Zj. Guusje Korthals Altes, duke vlerësuar përpjekjet e të gjitha palëve në këtë nismë u shpreh: “Ligjet, rregullat dhe udhëzimet janë të rëndësishme, po aq sa dhe pyetja se si t’i zbatojmë ato. Kjo pyetje kërkon dialog të vazhdueshëm nga të gjithë palët e interest”.

Edicioni i dytë i Javës së Integritetit do të zhvillohet në muajin dhjetor 2020.