Një ndër figurat e ndritshme të futbollit shqiptar, Rudi Vata, që nga dhjetori i vitit të kaluar është duke e ushtruar pozitën e drejtorit sportiv te skuadra elitare belge Mouscron.Ish-kapiteni i Kombëtares së Shqipërisë në një intervistë për Gazetën “Zëri” rrëfehet për eksperiencën e re në Belgjikë duke mos e përjashtuar mundësinë që në këtë skuadër të bashkohen futbollistë shqiptarë.50-vjeçari që si futbollist krahas Shqipërisë, ka luajtur edhe në Francë, Skoci, Gjermani, Qipro e Japoni, i ka komentuar edhe gjasat e Përfaqësueses së Kosovës për ndeshjen ndaj Maqedonisë së Veriut në kuadër të Ligës së Kombeve.Ish-mbrojtësi i lindur në Shkodër flet edhe për Kombëtaren e Shqipërisë, djalin e tij Rocco që ka vendosur ta përfaqësisë Republikën e Irlandës (grupmoshat e reja) si dhe futbollin e Kosovës që sipas tij është duke përparuar.

Synimet me Mouscronin, talentët shqiptarë, Mërgim Vojvoda

Rudi Vata të cilin të gjithë e mbajnë mend me fanellën me numër 5 në Kombëtaren e Shqipërisë, thotë se synimet e tij janë që te Mouscron të sjellë lojtarë të talentuar me mentalitet fitues.“Që nga fundi i dhjetorit po punojë te Mouscron dhe qëllimi i ekipit është që ta bëjmë një skuadër solide dhe të mendojmë për stinorin e ri ku planifikojmë që të shkojmë një hap më lart. Detyra e drejtorit sportiv është shumë e rëndësishme, që të rekrutojë lojtarë për të ardhmen. Talentët dhe lojtarëve që pretendojmë t’i sjellim në skuadër, duhen të jenë lojtarë me mentalitetin e duhur. Trajneri që është te ne është gjerman (Bernd Hollerbach) ku prioritet e ka punën dhe disiplinën”, ka deklaruar Rudi Vata të shtunën për Gazetën “Zëri”.Pjesë e Mouscronit deri në verën e vitit 2019 ka qenë edhe mbrojtësi i Përfaqësueses së Kosovës, Mërgim Vojvoda, teksa Vata e vlerësuar lart punën e tij. Vojvoda tashmë është pjesë e Standard Lieges që konsiderohet një ndër klubet e mëdha belge.

“Vojvoda ishte këtu. Ai e ka promovuar veten dhe ka ecur. Në fund të dhjetorit e kam parë në ndeshjen e Mouscronit me Standard Liegen dhe ishte lojtari kyç për Standardin. Mouscron ka përfituar financiarisht nga Vojvoda i cili ka kaluar në një klub të madh. Gjithmonë synojmë që të bëjmë një skuadër më solide për të ardhmen dhe lojtarët e secilit nacionalitet, edhe atij shqiptar janë të mirëpritur. Duan kualitet dhe mentalitet të mirë”, theksoi Rudi Vata.

“Kosova e kalon Maqedoninë e Veriut”

26 marsi, dita kur Përfaqësuesja e Kosova e zhvillon ndeshjen më të rëndësishme në histori të saj ndaj Maqedonisë së Veriut në Shkup, po afrohet.Kosova me fitore eventuale në stadiumin “Toshe Proeski Arena”, përballet në finalen e Ligës së Kombeve me fituesin e ndeshjes Gjeorgji – Bjellorusi nga ku kërkohet një “biletë” për Kampionatin Evropian “Euro 2020”.Rudi Vata beson se Kosova ka gjasa të mira që të kualifikohet në këtë “Euro”. “Kosova e ka potencialin e mjaftueshëm me një staf të mirë dhe mentalitet pozitiv. Kosova e ka një grup të mirë dhe harmoni dhe e japin më të mirën e tyre. Jam i sigurt që Kosova do ta kalojë këtë ndeshje. Edhe në letër Kosova është më mirë se maqedonasit. Edhe uria për fitore është më e madhe te Kosova pasi që janë Përfaqësuese e re dhe tashmë e kanë bërë një emër të mirë në arenën ndërkombëtare”, pohoi Vata.

“Në Kosovë ka mentalitet fitues, e duan futbollin dhe punën, këtë e dëshmon edhe FC Prishtina”

Rudi Vata ndër të tjera tha se është i njoftuar edhe me rrethanat në futbollin e Kosovës.Vata e kujton finalen e Kupës së Kosovës në edicionin 2015/16 FC Prishtina – Drita ku ishte mysafir në stadiumin e Prishtinës (Fadil Vokrri), në finalen që e fitoi Prishtina me rezultat 2:1.

“Edhe në atë periudhë kam parë që ka pasion, adrenalinë dhe të ardhme. Më ka pëlqyer te Kosova mentaliteti profesional që është shumë më mirë se në Shqipëri. Jam i sigurt se kjo vjen nga ish-shkolla jugosllave që ka qenë ndër më të fortat në Evropë. Ka edhe atje probleme sepse ndikon tranzicioni. Suksesi në Kosovë do të vijë më shpejt se në Shqipëri. Klubi Prishtina ka filluar një proces të fushave stërvitore dhe ka projekte konkrete dhe besoj se ka të ardhme. Kjo vjen falë mentalitet të tyre. Kosova ka të ardhme të mirë”, vlerësoi Rudi Vata.

Kombëtarja shqiptare dhe vendimi që djali i tij të luajë me Kombëtaren e Irlandës

Kombëtarja shqiptare në vitet e fundit nuk i ka realizuar pritjet që i kanë tifozët “kuqezi”.Shqipëria pas dështimit me trajnerin Christian Panucci, ia ka besuar postin e trajnerit të Kombëtares, italianit tjetër Edi Reja.“Dy ndeshjet e fundit me Francën dhe Andorrën nuk më lanë shije të mirë. Shqipëria është kombëtare ne tranzicion. Me Islandën nën drejtimin e Rejas kanë luajtur mirë në Elbasan. Kombëtarja është akoma e pastabilizuar. Reja ka punë për të bërë dhe lojtarët kanë probleme me ekipet e tyre. Nëse matet me epokën De Biasi, shkalla e vështirësisë është më e madhe. Shpresojë që Reja të rregullojë bilancet”, tha Rudi Vata.Në muajt e fundit, Vata dhe djali i tij Rocco (luan me Celtic në Skoci, ku ku luajtur edhe Rudi) ishin bërë lajm.