Ish-ministri i LSI, Ylli Manjani përmes një postimi në rrjetet sociale ka reaguar pas thirrjes së Presidentit Ilir Meta, se me datën 2 mars do të nënshkruaj një dekret të rëndësishëm. Ky dekret është duke u parë nga shumë si dekreti për shpërndarjen e Kuvendit, ndërsa Manjani jep tre rastet kur në Kushtetutë përcaktohet shprehimisht shpërndarja e kuvendit.
Postimi i Manjanit:
Në përgjigje të gjithë gazetarëve dhe miqve në FB,megjithëse e kam sqaruar dhe më parë, në pamundësi për ta sqaruar për secilin veç e veç, po e sqaroj edhe njëherë “shpërndarjen e Kuvendit” sipas Kushtetutës.
Kuvendi mund të shpërndahet VETËM në tre rrethana:
1. Kur nuk arrin të zgjedhë Presidentin sipas nenit 87 të Kushtetutës.
2. Kur nuk arrin të zgjedhë Kryeministrin, sipas nenit 96.
3. Kur Kryeministri humbet mocionin e besimit, sipas nenit 101.
Këto janë arsyet e vetme kushtetuese kur shpërndahet Kuvendi. Proceduralisht, nisma për shpërndarjen e Kuvendit merret nga Presidenti vetëm kur Kuvendi i ri i pas zgjedhjeve nuk zgjedh dot Kryeministrin e ri sipas nenit 96. Në çdo rast tjetër, Presidenti vihet në lëvizje nga Kryetari i Kuvendit ose Kryeministri. Më në fund, në asnjë kompetencë të shkruar në Kushtetutë nuk përmendet “shpërndarja e Kuvendit” si detyrë specifike për Presidentin.