Kryeministri Edi Rama theksoi sot se solidariteti i treguar nga vendet fqinje dhe vendet e Bashkimit Europian pas tërmetit në Shqipëri mishëron atë që etërit themelues të Bashkimit Europian shkruanin kur skicuan BE. Në takimin e fundvitit me ambasadorët dhe trupën diplomatike të akredituar në Tiranë, Rama u shpreh se, “do të jetë shumë më e lehtë edhe hyrja në historinë e marrëdhënieve me fqinjët rreth e rrotull nesh, duke ia nisur jo nga ngatërresat politike apo keqkuptimet historike, por nga rrëfimi i nxjerrjes prej gërmadhave, pas thuajse 24 orësh, të një djali shqiptar nga trupat fantastike greke të kërkim-shpëtimit”.
Apo, theksoi Rama, “rrëfimi i një beteje të përbashkët të trupave nga Serbia e Kosova për të shkëputur nga kthetrat e vdekjes njerëz të zakonshëm të këtij vendi”. “Ishte e gjitha një mrekulli. Dhe kalorësit e kërkim-shpëtimit italianë, që gjithë përulësi dhe përkushtim, krahas atyre turq, plot disiplinë dhe vendosmëri, i rrethuan gërmadhat e kthyera në kështjella të vde kjes dhe nxorën prej tyre jetë shqiptare”, – tha Rama.
“Po për vëllezërit dhe motrat tona në uniformë nga Kosova, me çfarë fjalësh mund të përshkruhen, pa e zvogëluar furinë e rrahjeve të zemrës së mbarë Kosovës, gjithçka që u reflektua në gjithë operacionet e tyre të paharrueshëm? As një fjalë dhe as një milion fjalë nuk e përshkruajnë dot atë që sytë e mi e kanë ngulitur përgjithmonë në kujtesë”, – u shpreh Kreu i Qeverisë. “Si ta tregosh aq bukur, sa e pashë unë në ato orë të pafundme, kur dita ngjante si natë dhe nata ishte ditë, Francën që kujtoja se e kisha parë mjaftueshëm për t’ia admiruar madhështinë dhe bukurinë, deri kur legjionarët e kërkim-shpëtimit u shfaqën në Durrës, me shkëlqim dhe zhdërvjelltësi mahnitëse?” – tha Rama.
“Po skuadrën izraelite, që aq shumë kurajo e qetësi iu dha qytetarëve të Durrësit, si ta tregosh aq thjeshtësisht dhe lehtësisht sa u përball me situatën? Dukej sikur përballeshin me një furtunë shiu në verë”, – u shpreh ai. Këto dy javë, nënvizoi Rama, “janë në fakt një histori brenda historisë së vendit tonë. Një histori e gjallë solidariteti faktik. Solidariteti që si fjalë ne e përdorim vijimësisht, por që këto dy javë e pamë të mishëruar në njerëz, flamuj të ndryshëm, uniforma të ndryshme, gjuhë të ndryshme. Njësoj, sikur të ishin këtu për të ardhur me një porosi, pas tërmetit psikologjik të tetorit, për të mishëruar atë që etërit themelues të Europës shkruanin se kur europianët punojnë bashkë, kjo do të mjaftojë për të kuptuar se përtej dasive të momentit apo barrierave gjeografike, ka vetëm një horizont të përbashkët qëllimesh dhe idesh”.
“Unë nuk do ta ekzagjeroja, kur them se mënyra se si trupat tona të shpëtimit punuan përkrah francezëve, italianëve, turqve, rumunëve, grekëve, kroatëve, serbëve, kosovarëve padiskutim, po e po, dhe shumë të tjerë krah për krah njëri–tjetrit, janë mishërimi i asaj që Moneja, Shumani, Adenaueri kishin parasysh kur e skicuan me një imagjinatë, që sot duket pjellë e një kurajoje të marrë, Bashkimin Europian”, – tha Rama. “Nuk e harrova Zvicrën natyrisht. Edhe pse Zvicra në ato ditë e netë ishte e jashtëzakonshme, si vetë emri që ka, e veçova, se ka zgjedhur të jetë veç në Europë, dhe jashtë Europës”, u shpreh Kryeministri.