Këtë të martë e ftuar në “Ftesë në 5” ishte Tinga Wang, një kineze e martuar me një shqiptar dhe që jeton prej 7 vitesh në Shqipëri. E ftuar në emision, ajo ka folur rreth paragjykimeve që ka marrë nga qytetarët e Tiranës vetëm sepse është nga Kina, epiqendra e Koronavirusit, që ka shkaktuar një numër të madh të vdekurish. “Isha në rrugë dhe po ecja, kalojnë një tufë djemsh, një prej tyre sapo më pa mua edhe tha “Uaa kineze, virus”, duke qeshur, u mërzita, pse duhet ta bëjë këtë? Herën e dytë, një gocë sapo më pa mua, vendosi dorën te hunda dhe më shikonte me frikë”, ka treguar ajo e prekur.
“Një herë në Universitetin e Tiranës ku studiohet gjuha kineze, erdhën disa djem dhe thanë “Ikni nga këtu se jeni kinezë” po ashtu dhe fëmijët sa na shohin thonë “oo kinezë kinezë” por fëmijët janë të vegjël dhe nuk kuptojnë gjë, megjithatë s’ndihem mirë’, ka vazhduar Tinga me rrëfimin. Si përfundim ajo ka dhënë një mesazh për të gjithë shqiptarët e shqetësuar:
“Ju nuk duhet të keni frikë sepse kinezët në Shqipëri, ka shumë kohë që nuk lëvizin. Ata që kanë ikur s’kanë mundësi të kthehen këtu. Këtu janë të sigurt.” Kinezët kanë ndërmarrë një nismë “Hajde më përqafo, unë jam kinez, jo virus!”