Që prej rrëzimit të sistemit diktatorial rreth 3 dekada më parë, SHBA kanë qenë dhe mbeten partneri më i rëndësishëm strategjik i Shqipërisë, në rrugën e saj drejt konsolidimit të demokracisë dhe shtetit të së drejtës. Falë këtij partneriteti dhe mbështetjes domethënëse të SHBA, Shqipëria arriti të bëhet pjesë e Aleancës së Atlantikut Verior dhe sot jep kontributin e saj mjaft të vlerësuar në këtë organizatë.
Nga ana tjetër një prej reformave më të rëndësishme, të konsidruar si një reformë historike, ajo në fushën e drejtësisë është mbështetur me shumë forcë dhe pa asnjë dilemë nga zyrtarët më të lartë të SHBA, pavarësisht kundërshtive të forta, që ajo ka hasur në rrafshin e brendshëm, ku nuk kanë munguar edhe vlerësimet si një reformë e dështuar, apo e keqpërdorur politikisht. Amerikanët megjithatë vijojnë të jenë konsistentë në mbështetjen e tyre për këtë reformë.
Por krahas këtyre fushave me interes strategjik, në muajt e fundit një tjetër sektor duket se ka marrë vëmendjen e shtuar të SHBA, sektori i energjitikës. Për herë të parë përveç NATOS dhe reformës në drejtësi, ekonomia, e veçanerisht fusha e energjisë kanë hyrë në axhendën e partneritetit strategjik mes SHBA dhe Shqipërisë. Kjo duket qartë nga deklarimet publike të ambasadores së re të SHBA, Yuri Kim.
Gjatë një aktiviteti të organizuar nga Departamenti i Energjisë në Tiranë, në fillim të kësaj jave ambasadorja do të deklaronte: “Vitin e shkuar, përpara Senatit të SHBA, diskutova mbi prioritet e mia nëse do të merrja konfirmimin si Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri. Vërejta rëndësinë që ka përkrahja dhe forcimi i lidhjeve ekonomike midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë dhe puna për të ndihmuar në sigurimin e mundësive të rritura ekonomike për bizneset amerikane, edhe ato shqiptare.
Shtetet e Bashkura dhe Shqipëria kanë lidhje të forta miqësie dhe angazhimi. Prapëseprapë, unë besoj se ne mund t’i dyfishojmë përpjekjet tona për të përmirësuar dhe forcuar lidhjen tonë ekonomike”.
Një tjetër dëshmi e interesimit në rritje të SHBA për sektorin e energjisë, është edhe intensiteti i shtuar i kontakteve dhe takimeve të ministres Balluku me zyrtarët më të lartë të Departamentin Amerikan të Energjisë Në vetëm 5 muaj, duke filluar nga takimi i zhvilluar në shtator të vitit të kaluar në Nju Jork me Asistent Sekretarin Fannon, ministrja Balluku ka takuar disa herë dhe asistentë sekretarët e tjerë të energjisë, duke u kurorëzuar kjo marrëdhënie me një event shumë të rëndësishëm, jo vetëm për Shqipërinë, por dhe për rajonin, i cili u zhvillua të mërkurën e kësaj jave në Tiranë.
Asistent sekretari i energjise Winberg, së bashku me ministren Balluku, njoftuan publikun për nismën e re me shumë interes për vendin, si në aspektin e zhvillimit energjitik dhe ekonomik, ashtu dhe në aspektin e faktorizimit rajonal. Ky event shënoi dhe nisjen e punës nga ambasadorja Kim, për të përmbushur një nga prioritetet e saj, atë të partneritetit ekonomik Dhe së fundi, kjo jave kaq intensive përsa i përket këtij bashkëpunimi të rëndësishëm dhe optimist mes Departamentit Amerikan të Energjisë dhe MIE u kurorëzua me takimin bilateral mes Sekretarit Brouillete dhe ministres Balluku, si për të vulosur këtë partneritet, që shihet me interes nga të dyja palët, po t’i referohemi dhe deklaratës së bërë në Tiranë nga asistent sekretari Winberg.
Të gjithë këta elementë: Hera e parë, që SHBA ka një fokus kaq të madh tek energjia dhe ekonomia; hera e parë, që një ambasador vjen me axhende të qartë dhe të deklaruar ekonomike; si dhe hera e parë që një ministër shqiptar energjitike ka këtë intesitet marrëdhenieje me Departamentin Amerikan të Energjisë, janë një tregues i qartë i interesit që SHBA kanë në sektorin energjitik shqiptar. Një interes që sipas deklaratave të vetë zyrtarëve të lartë të SHBA do të mund të përkthehet në më shumë investitorë amerikanë dhe më shumë marrëveshje dhe bashkëpunim dypalësh, sigurisht me një avantazh të shtuar për eknominë shqiptare.